Belgjika firmosi një rikthim të jashtëzakonshëm përballë Senegalit në Kupën e Botës, duke triumfuar 3:2 pas vazhdimeve, megjithëse deri në minutën e 85-të ndodhej në humbje 0:2.
Në përfundim të kësaj sfide dramatike, Romelu Lukaku doli para kamerave të RTBF, ku komentoi me emocione të forta reagimin e skuadrës së tij.
“Ishte intensive”, tha Lukaku me të qeshur për mikrofonin e kanalit valon RTBF. “Ne treguam guxim dhe në fund, më falni për fjalët e mia, treguam se kemi guxim. Kjo është e nevojshme në ndeshje si kjo”, u shpreh ai.
Sulmuesi belg u ndal edhe te episodi vendimtar i takimit, si dhe te përjetimet personale që shoqëruan atë moment.
Vetë Lukaku ishte një nga figurat kyçe të rikthimit, pasi realizoi golin e barazimit.
“Mendoj se është babai im që më ndihmon nga lart”, deklaroi ai me emocion, ndërsa tregonte me gisht drejt qiellit. Babai i Lukakut, ish-futbollisti profesionist Roger Lukaku, ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 58-vjeçare.
Ndonëse e gjithë Belgjika priste që ai të merrte përsipër penalltinë vendimtare, sulmuesi me 92 gola ndërkombëtarë për “Djajtë e Kuq” ia besoi atë goditje Tielemans-it. Më pas, ai sqaroi edhe arsyen e këtij vendimi.
“Doja ta gjuaja, por mendërisht nuk jam ende gati për momente kaq të vështira dhe vendimtare, kështu që preferoj t’ia lë Yourit. Ekipi është i pari”, përfundoi ai.



