Sipas raportimeve më të fundit, Roberto Martinez pritet të largohet nga detyra e përzgjedhësit të Kombëtares së Portugalisë pas mbylljes së Kupës së Botës 2026, pavarësisht se çfarë rezultatesh do të arrijë skuadra në këtë turne.
Trajneri spanjoll ka kontratë vetëm deri në fund të korrikut dhe, sipas raportimeve, ai tashmë ka vendosur të mos e zgjasë atë. Pas tri vitesh në stolin e Portugalisë, Martinez duket i përgatitur për një hap të ri në karrierën e tij.
Sipas talkSPORT, 52-vjeçari e ka marrë këtë vendim para fillimit të Botërorit dhe aktualisht po vlerëson mundësitë për një rikthim në futbollin e klubeve. Një kthim në Ligën Premier mbetet një alternativë e mundshme, ndërsa emri i tij është përmendur edhe për disa role të rëndësishme në Evropë.
Nuk përjashtohet as mundësia që në të ardhmen ai të marrë drejtimin e një tjetër kombëtareje.
Gjatë kohës së tij te Portugalia, Martinez ka regjistruar rezultate të luhatshme. Ndonëse skuadra u ndal nga Franca në çerekfinalen e Euro 2024 pas penalltive, portugezët reaguan më pas duke mposhtur Spanjën në finalen e Ligës së Kombeve verën e kaluar.
Tashmë objektivi i tij është ta përfundojë sa më mirë aventurën me Portugalinë, duke synuar t’i sjellë vendit trofeun e parë të Kupës së Botës në histori.
Martinez ka përvojë edhe nga dy Kampionate Botërore me Kombëtaren e Belgjikës. Në vitin 2018 ai i çoi belgët deri te vendi i tretë, ndërsa katër vjet më pas përjetoi zhgënjim të madh me eliminimin që në fazën e grupeve.
Portugalia vlerësohet si një nga pretendentet kryesore për ta fituar Kupën e Botës 2026, falë një ekipi të mbushur me yje dhe cilësi në çdo repart.
Rrugëtimi i tyre në turne do të nisë me ndeshjen ndaj Kongos, ndërsa në Grupin K do të përballen gjithashtu me Uzbekistanin dhe Kolumbinë.


