Diego Maradona, i konsideruar si një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit, kishte bërë në vitin 2018 një parashikim befasues për Kupën e Botës që po zhvillohet aktualisht në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Në atë periudhë, ish-ylli argjentinas shprehej se organizatorët do të synonin të sillnin katër pjesë loje për arsye reklamimi. Tetë vjet më pas, rezulton se parashikimi i tij ishte shumë pranë realitetit.
Maradona nuk e shihte me entuziazëm faktin që Amerika e Veriut do të priste Kupën e Botës, pasi mendonte se aspekti tregtar do të vihej mbi frymën e lojës.
“Nuk më pëlqen, nuk ka pasion. Kanadezët do të jenë skiatorë të mirë dhe amerikanët donin të fusnin katër çerekë 25-minutëshe për reklamim. Në fund, do të luajmë 100 minuta”, kishte deklaruar Maradona mes të qeshurash.
Koha tregoi se ai kishte të drejtë. Edhe pse sistemi i turneut nuk u kthye fjalë për fjalë në katër pjesë, u vendosën ndërprerje që lojtarët të hidratoheshin për shkak të temperaturave të larta.
Këto pushime u shndërruan në momente ideale për reklama televizive. Po ashtu, për shkak të shtesave të mëdha të akorduara nga gjyqtarët, ndeshjet tashmë zgjasin rregullisht të paktën 100 minuta, pikërisht siç kishte paralajmëruar legjenda e Argjentinës.
Edhe sot, për shumëkënd Maradona mbetet futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Kampioni i botës me Argjentinën në vitin 1986 u nda nga jeta në vitin 2020, pasi pësoi një arrest kardiorespirator në shtëpinë ku po rikuperohej nga një ndërhyrje e fundit në tru për heqjen e një mpiksjeje gjaku.



