Real Madridi vazhdon të interesohet për Michael Olisen, por Bayern Munich kërkon deri në 300 milionë euro për të lejuar largimin e futbollistit francez.
Gazeta spanjolle Diario AS raporton se kampioni gjerman nuk synon ta shesë sulmuesin anësor. Që prej ardhjes nga Crystal Palace në vitin 2024, ai është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Olise ishte ndër objektivat kryesorë të Real Madridit gjatë afatit kalimtar të verës. Presidenti Florentino Perez e konsideronte 24-vjeçarin një përforcim të rëndësishëm përkrah Kylian Mbappes, por bisedimet mes klubeve nuk përfunduan me marrëveshje.
Bayerni, që pagoi rreth 53 milionë euro për transferimin e tij nga Crystal Palace, tani ka mbajtur një qëndrim edhe më të vendosur, duke kërkuar shumëfishin e asaj shume për ta liruar.
Kontrata e Olises me klubin bavarez zgjat deri në vitin 2029. Sipas raportimeve, ai nuk ka treguar dëshirë të ushtrojë presion për t’u larguar nga Allianz Arena, ndërsa drejtuesit e Bayernit ende nuk e kanë bindur të nënshkruajë një marrëveshje të re.
Presidenti i nderit i klubit, Uli Hoeness, la të kuptohet se bisedimet për vazhdimin e bashkëpunimit do të zhvillohen kur të vijë koha. Ai tha se do të gjendet momenti për një marrëveshje të re dhe se Olise ka ende dy vjet kontratë.
