Portieri i Teutës, Paul Bernardoni, u përmend në emisionin “Max Sport” të “A2 CNN” si futbollisti më i paguar në Superiore, duke i dhënë përgjigje pikëpyetjes se kush e mban këtë status.

Francezi përfiton 20 mijë euro në muaj, ndërsa kartoni i tij vlerësohet në 1 milionë euro. Kjo pagë, e lartë për Superioren, dëshmon se Teuta vijon të jetë ndër ekipet me buxhetet më të mira në elitën e futbollit shqiptar; paraqitjet e portierit po e përligjin këtë investim.
I afruar nga skuadra durrsake verën e kaluar, Bernardoni është edhe sot një mbështetje e rëndësishme për ekipin e Edlir Tetovës. Falë reflekseve të tij, “Djemtë e Detit” kanë pësuar më pak gola kur ai ka qenë në formacion.
