Aymeric Laporte ka konfirmuar se Barcelona ishte interesuar ta transferonte gjatë afatit kalimtar të verës. Megjithatë, Athletic Bilbao nuk pranoi largimin e qendërmbrojtësit 32-vjeçar, ndaj transferimi nuk u realizua.
Në një intervistë për La Vanguardia, reprezentuesi spanjoll tha se nuk e përjashton mundësinë për të luajtur një ditë në “Camp Nou”. Ai pranoi, sidoqoftë, se mosha mund ta bëjë më të vështirë një lëvizje të tillë në të ardhmen.
Barcelona po kërkonte një qendërmbrojtës më këmbën e majtë për mbrojtjen e skuadrës së Hansi Flick. Gjatë planifikimit të merkatos së fundit, drejtori sportiv Deco kishte shqyrtuar mundësinë e afrimit të Laportes.
Qëndrimi i Athletic Bilbaos ishte pengesa vendimtare. Klubi bask nuk kishte ndërmend të humbiste një prej mbrojtësve të tij gjatë verës dhe nuk ishte i gatshëm të negocionte për largimin e tij.
Deklaratat e Laportes e kanë rikthyer emrin e tij në diskutimet për transferime. I pyetur nëse mundësia e kalimit te gjiganti katalunas ishte mbyllur përfundimisht, ai la të kuptohej se rrethanat mund të ndryshojnë, ndonëse koha nuk është në favorin e tij.
Një tjetër pengesë e mundshme është kontrata e mbrojtësit. Pas aventurës në Arabinë Saudite, Laporte u rikthye te Athletic Bilbao në shtator të vitit 2025 dhe është i lidhur me klubin deri në qershor të vitit 2028. Për ta transferuar para kësaj date, Barcelona do të duhej të arrinte marrëveshje me klubin bask.
