Në Supreme kërkohet të lihet në fuqi burgimi i përjetshëm për Edmond Lajqin, ai thotë se nuk ishte në gjendjen e tij kur ndodhi vrasja

Lajme

Të enjten, në Gjykatën Supreme, u shqyrtua kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e paraqitur nga mbrojtja e Edmond Lajqit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gj.U.

Më 27 dhjetor 2024, Gjykata Themelore në Pejë e kishte shpallur Lajqin fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, duke i shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm. Më pas, edhe Gjykata e Apelit nxori vendim me të cilin e konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.


Në seancën e zhvilluar në Gjykatën Supreme, përfaqësuesja e familjes Ukella, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, kërkoi që dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Lajqit të vërtetohet. Të njëjtën kërkesë e paraqiti edhe vëllai i së ndjerës Gj.U., Shpat Ukella, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i Lajqit, avokati Feim Alaj, kërkoi që çështja të kthehet në rigjykim ose të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe ai i shkallës së dytë.

Edmond Lajqi, personalisht, i kërkoi falje familjes për rastin dhe deklaroi se ka qenë nën ndikimin e barnave. Ai tha se nuk ka qenë vetvetja në momentin kur ka ndodhur rasti.

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në këtë çështje përbëhet nga Bashkim Hyseni, kryetar, si dhe Mejrem Memaj dhe Agim Maliqi, anëtarë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor 2024, i akuzuari Lajqi e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas së tij në prill të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 e ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë. /BetimipërDrejtësi/

Promo