Interi ka triumfuar me rezultat të ngushtë 2-1 ndaj Genoas në kuadër të javës së 27-të në Serie A.
Ndeshja nisi ashtu edhe siç pritej, me një dominim nga Nerazzurët – që kërkonin tri pikë të reja.
Golin e parë për Interin, por edhe të parin personal për këtë sezon e realizoi Kristjan Asllani, kur u asistua prej Alexis Sanchez në minutën e 30-të.
Për 2-0 u përkujdes pikërisht kiliani, kur realizoi tetë minuta më vonë se goli i reprezentuesit të Shqipërisë.
Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, derisa në të dytën fitorja e vendasve u vu në rrezik.
Johan Vasquez ngushtoi epërsinë e Interit në 2-1, kur shënoi në minutën e 54-të.
Lojtarët e Simone Inzaghit filluan të këndellen dhe të mos e merrnin fitoren si të sigurt.
Në minutën e 66-të, Genoa mendoi se kishte barazuar shifrat në 2-2, por goli i Vitinha u anulua për pozicion jashtë loje.
Nicolo Barella lëshoi një mundësi të artë shënimi në minutën e 83-të, kur nuk arriti të mposhte nga afërsia portierin kundërshtar.
Pas javës së 27-të, Interi ka 72 pikë, duke thelluar edhe më shumë diferencën me Juventusin në 15 pikë, ndërsa në xhiron e 28-të takohen me Bolognan. /Telegrafi/
sport,inter,serie a , inter,serie a