Një skenë e rrallë u pa mbrëmjen e kaluar në ndeshjen e Kupës së Botës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Australisë. Në përfundim, skuadra vendase triumfoi 2-0, ndërsa momenti që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare ndodhi në minutat e fundit të takimit.
Më saktësisht, arbitri kryesor Felix Zwayer u ul në fushë dhe kërkoi ndihmë mjekësore. Ndihma erdhi menjëherë, por në një mënyrë jo të zakonshme, pasi gjyqtarja e katërt Katie Garcia i solli lëng turshish.
Sipas The New York Times, ky lëng është në të vërtetë një përzierje e përgatitur nga lëngu i turshive, e pasuruar me vitamina dhe minerale që ndihmojnë në rikuperimin e shpejtë të muskujve.
Zakonisht tregtohet në shishe të vogla me përmbajtje rreth 75 ml, ndërsa mjekët rekomandojnë që fillimisht të mbahet në gojë për 20 deri në 30 sekonda, përpara se të pështyhet ose të gëlltitet.
Nga ana sportive, kur organizmi ndodhet nën ngarkesë të lartë, truri mund të dërgojë sinjale tepër intensive drejt muskujve të lodhur, çka mund të shkaktojë ngërçe.
Elektrolitet natyrale që gjenden në lëngun e kastravecit, si natriumi dhe kaliumi, veprojnë së bashku për ta ndërprerë këtë “sinjalizim nervor”. Ato nxisin një refleks në gojë që dërgon sinjal te muskujt për t’u çlodhur në më pak se 60 sekonda.
Dr. Mayur Ranchordas, lektore e lartë për ushqyerjen sportive dhe metabolizmin e ushtrimeve në Universitetin Sheffield Hallam në Mbretërinë e Bashkuar, tha për BBC në vitin 2023 se lëngu i turshive “i ndalon ngërçet 40 për qind më shpejt sesa pirja e ujit”.
Përveç kësaj, kjo pije rrit njëkohësisht nivelin e sheqerit në gjak dhe sjell vitaminë C në organizëm.
Për shkak të shpërthimit të menjëhershëm të energjisë dhe përbërjes së saj specifike, lëngu i turshive nuk përdoret si masë parandaluese, por vetëm pasi të kenë nisur ngërçet, me qëllim lehtësimin e dhimbjes.
Po ashtu, kjo përzierje mund të shërbejë për të zbutur lodhjen, dehidratimin dhe qarkullimin e dobët të gjakut.


