Franca triumfon 3-0 ndaj Suedisë dhe siguron kualifikimin për në raundin e 16-të

Franca triumfon 3-0 ndaj Suedisë dhe siguron kualifikimin për në raundin e 16-të

Lajme

Franca ka prerë biletën për në raundin e 16-të të Kupës së Botës, pasi fitoi me autoritet 3-0 ndaj Suedisë në stadiumin “MetLife”.

Protagonisti kryesor i mbrëmjes ishte Kylian Mbappe, që realizoi dy herë, ndërsa golin tjetër për “Gjelat” e shënoi Bradley Barcola, në një ndeshje të kontrolluar nga francezët pothuajse në tërësi.

Në fazën e ardhshme, kombëtarja franceze do të ndeshet me Paraguain, skuadër që një ditë më parë nxori jashtë Gjermaninë pas ekzekutimit të penalltive.

Edhe pse Suedia e hapi më mirë sfidën dhe kërcënoi e para në minutën e tretë me Alexander Isak, Mike Maignan reagoi saktë dhe shmangu golin.

Pas atij momenti, loja foli kryesisht për Francën. Në minutën e 20-të, Mbappe e çoi topin në rrjetë, por festa u ndal për shkak të pozitës jashtë loje. Pak më herët, edhe Barcola kishte shpërdoruar një rast shumë të mirë.

Francezët nuk e ulën ritmin dhe vijuan trysninë. Adrien Rabiot u ndal nga portieri Zetterström, ndërsa në minutën e 32-të Mbappe goditi shtyllën. Tre minuta më pas, Michael Olise iu afrua golit me një tentativë spektakolare me gërshërë.

Epërsia erdhi në minutën e 45-të, kur Ousmane Dembele asistoi për Mbappen. Sulmuesi francez kaloi portierin suedez dhe me një goditje të fortë realizoi për 1-0.

Në kohën shtesë të pjesës së parë, Suedia pati shansin për të vendosur baraspeshën, por Stroud nuk gjeti kuadratin dhe e dërgoi topin mbi traversë.

Franca e menaxhoi qetë nisjen e pjesës së dytë, por në minutën e 53-të goditi sërish. Aurelien Tchouameni shërbeu për Olisen, i cili pasoi në mënyrë perfekte në hapësirë për Bradley Barcolan dhe ky i fundit finalizoi saktë për 2-0.

Olise mbeti vazhdimisht rrezik për mbrojtjen suedeze, por Zetterström i mohoi disa mundësi të mira. Në minutën e 71-të, mesfushori francez humbi edhe një rast ideal pas një kundërsulmi të shpejtë.

Ndeshja mori fund praktikisht në minutën e 74-të. Sërish Olise ishte vendimtar me një pasim fantastik për Mbappen, i cili doli përballë portës dhe shënoi golin e tij të dytë personal, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.

Deri në vërshëllimën e fundit, të dy trajnerët bënë disa zëvendësime. Barcola dhe Viktor Gyokeres krijuan gjithashtu disa raste të tjera, por pa ndryshuar shifrat.

Me këtë fitore të thellë, Franca vijon aventurën në Kupën e Botës dhe në fazën e 1/8 së finales do të kërkojë të kalojë edhe pengesën e quajtur Paraguai.

Promo