Një problem i madh ka goditur Francën përpara ndeshjes me Paraguain në 1/16 e finales së Kupës së Botës 2026, pasi Aurelien Tchouameni pritet të mos luajë për shkak të një dëmtimi në kofshë.
Mesfushori i Real Madridit ka qenë ndër elementët kyç të Didier Deschamps në këtë Botëror, teksa ka nisur si titullar në tri nga katër takimet që skuadra ka zhvilluar deri në këtë pikë.
Sipas asaj që raporton “L’Equipe”, futbollisti 26-vjeçar nuk do të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Paraguait, ndërsa në vend të tij në formacion pritet të aktivizohet Manu Kone.
Franca arriti të kalojë në fazën me eliminim direkt pasi e përfundoi grupin I me maksimumin e pikëve, duke i fituar të gjitha tri ndeshjet, përpara se në 1/32 e finales të mposhtte Suedinë me rezultatin e pastër 3-0.
Të shtunën, “Gjelat” do të zbresin në fushë në Filadelfia përballë Paraguait, me synimin për të siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës.
Deri në këtë moment, Federata Franceze e Futbollit ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar për raportimet që flasin për mungesën e Tchouamenit.


