Rruga e Emiljano Mustës me Elbasanin ka ardhur në fund. Futbollisti i krahut të majtë i dha sot lamtumirën skuadrës “verdheblu”, ndërsa 34-vjeçari zgjodhi t’i falënderonte të gjithë përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Në postimin e tij, Musta shkroi: “Faleminderit Elbasani, ishte kënaqësi dhe privilegj të përfaqësoja dhe udhëhiqja ngjyrat e qytetit tim të lindjes në 2 sezone fantastike që kaluam së bashku”.
Edhe e ardhmja e lojtarit tashmë është e qartë. Sipas asaj që raportoi dje “Newsport.al”, anësori i majtë, i cili aktivizohet kryesisht në rolin e mbrojtësit, do të vazhdojë karrierën te Vllaznia, me firmën që është hedhur ditën e djeshme.









