FC Prishtina zyrtarizon Arjanit Fazlijën, talentin e Kosovës U21

FC Prishtina zyrtarizon Arjanit Fazlijën, talentin e Kosovës U21

Lajme

FC Prishtina ka bërë edhe një hap në ndërtimin e ekipit për sezonin e ri, duke konfirmuar transferimin e mesfushorit të ri Arjanit Fazlija.

21-vjeçari vjen te bardhekaltrit pas formimit të tij në futbollin gjerman. Së fundmi ai ishte pjesë e Greuther Fürth, ndërsa më parë ka luajtur edhe me ekipin U19 të Bayer Leverkusen. Fillimet e tij në futboll lidhen me akademinë e Viktoria Köln.

Fazlija ka qenë gjithashtu pjesë e grupmoshave të Përfaqësueses së Kosovës, ku ka mbajtur fanellën e Kosovës U15, U17, U19 dhe U21.

Te klubi nga kryeqyteti, ardhja e tij konsiderohet një investim me peshë në kuadër të planeve për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për edicionin e ardhshëm.

Pas prezantimit, mesfushori foli për emocionet që po përjeton pas transferimit te një prej klubeve me traditë në futbollin e Kosovës.

“Është nder për mua të luaj për këtë klub me histori të pasur dhe për tifozët e tij të mrekullueshëm. Do të jap gjithçka për ekipin dhe kryeqytetin, në mënyrë që ta festojmë së bashku suksesin. Forca Prishtina!”, deklaroi Fazlija.

FC Prishtina pritet që edhe gjatë ditëve në vijim të bëjë lëvizje të tjera në këtë afat kalimtar, ndërsa vazhdon përgatitjet për sfidat e sezonit të ri. /

Promo