Të mërkurën, policia në Gjermani zhvilloi një operacion të gjerë kontrollesh në kuadër të dyshimeve për korrupsion gjatë Kampionatit Evropian 2024.
Siç raportojnë mediat gjermane, mes tyre edhe BILD, një nga ambientet e verifikuara ishte edhe selia e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).
Prokuroria Publike e Bochumit, së bashku me Zyrën Shtetërore për Hetime Kriminale, bëri të ditur se çështja ka të bëjë me dyshime për “përfitime të paautorizuara”. Këto përfshijnë edhe marrjen e biletave për ndeshje futbolli nga një person i akuzuar, i cili në atë periudhë ishte i punësuar nga një qytet organizator i turneut.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se përfaqësuesit e entitetit organizator u kishin dhënë qyteteve pritëse të drejtën ekskluzive të përparësisë për blerjen e biletave, të cilat më pas janë përdorur në mënyra të ndryshme nga këto qytete.
Sipas BILD, në bastisjet e kryera në orët e mëngjesit morën pjesë më shumë se 150 efektivë policie dhe hetimet lidhen me dy persona: një shtetas gjerman 66-vjeçar dhe një shtetas francez 46-vjeçar.
Nën dyshim është edhe shpërndarja e paligjshme e mijëra biletave brenda sistemit, të cilat besohet se janë dhënë për të ftuar të preferuar gjatë Euro 2024.
Si pjesë e procedurës hetimore, kontrolli është shtrirë edhe në bashkitë dhe administratat komunale të qyteteve pritëse.
Deri tani, autoritetet gjermane nuk kanë publikuar hollësi të tjera për fazën e hetimeve apo për persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë çështje.



