Francisco Conceicao ka hedhur poshtë idenë se futbollistët e Portugalisë ndihen të kushtëzuar për t’ia dhënë topin Cristiano Ronaldos në çdo aksion sulmues, duke nënvizuar se vendimet në fushë merren me instinkt dhe jo sipas emrit të lojtarit.
Sulmuesi i krahut i Portugalisë vlerësoi aftësitë e jashtëzakonshme të Ronaldos para golit, por sqaroi se ekipi nuk ka ndonjë detyrim që ta kërkojë vazhdimisht kapitenin gjatë sulmeve.
“Jo, Cristiano e ka cilësinë e tij për të shënuar gola, nuk ka askush si ai në këtë aspekt. Por ne nuk e kemi atë detyrim, atë nevojë për t’ia pasuar topin atij”, u shpreh Conceicao.
Lojtari portugez theksoi se vendimet në repartin ofensiv merren në pak çaste dhe bazohen tërësisht te ajo që ndodh në fushë.
“Për shembull, unë ia pasoj topin atij që është më i lirë. Nuk kam kohë të mendoj për fytyrën e bashkëlojtarit që kam pranë. Ne veprojmë me instinkt, janë milisekonda dhe nuk ka kohë për gjëra të tilla”.
“Cristiano është këtu për të ndihmuar, ashtu si çdo bashkëlojtar tjetër në kombëtare”, përfundoi ai.
Portugalia vijon rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026 me Ronaldon si udhëheqës të skuadrës, por sipas Conceicaos, vendimet në fushë merren gjithmonë në funksion të ekipit dhe jo të vetëm një lojtari./


