Gjatë afatit kalimtar të verës, Arsenali pritet të marrë në konsideratë shitjen e të paktën një futbollisti të rëndësishëm, me synimin për të mbështetur financiarisht një tjetër merkato të madhe.
Këtë e ka bërë të ditur gazetari i BBC-së, Sami Mokbel, i cili vlerëson se drejtuesit e klubit nga Londra e kuptojnë se pas investimeve të mëdha të sezoneve të fundit, duhet të ruhet ekuilibri në shpenzime.
“Pres që të ketë të paktën një largim të profilit të lartë te Arsenali. Aktualisht ka një fokus të madh te largimet, duke marrë parasysh shpenzimet e bëra sezonin e kaluar”, tha Mokbel në kanalin Latte Firm në YouTube.
Sipas tij, edhe pse shumëkush mund të mendojë se Arsenali nuk është i detyruar të shesë, një veprim i tillë do të ishte i zgjuar. Mokbel theksoi se klubet më të mira dinë të heqin dorë nga asetet e tyre në kohën e duhur dhe se brenda Arsenalit ekziston bindja që duhet të tregohen më aktivë, të paktën duke shqyrtuar ofertat për lojtarët.
Gazetari la të nënkuptohej se mes emrave që mund të sakrifikohen është edhe kapiteni Martin Odegaard.
“Ka pasur disa zëra gjatë verës që sugjerojnë se Arsenali mund të jetë i gatshëm ta lërë Martin Odegaard të largohet për çmimin e duhur”, shtoi ai.
Norvegjezi ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Arsenalit në vitet e fundit, ndaj një largim i tij do të ishte një befasi e madhe për tifozët e klubit.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar që Arsenali është i gatshëm ta shesë Odegaardin, ndërsa mbetet e hapur nëse ndonjë klub do të bëjë një ofertë që do t’i bindte drejtuesit londinezë të ndaheshin me kapitenin.


