Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, u shfaq shumë i kënaqur pas fitores së thellë 4-0 ndaj Arabisë Saudite në Kupën e Botës 2026, duke vënë në pah intensitetin dhe reagimin e ekipit të tij pas kritikave të fundit.
Tekniku spanjoll nënvizoi se, pavarësisht ndryshimeve që sjell çdo përballje, identiteti i skuadrës mbetet i pandryshuar.
“Ndeshjet janë të ndryshme, por ideja mbetet gjithmonë e njëjtë. Gjithçka varet edhe nga kundërshtari. Kësaj here zhvilluam një pjesë të parë spektakolare dhe një pjesë të dytë të mirë”.
“Kjo na jep mundësinë të vazhdojmë rritjen dhe tani të përqendrohemi te ndeshjet e rëndësishme që kemi përpara. Edhe ajo e radhës do të jetë shumë e vështirë”.
Ai bëri të ditur se para takimit kishte kërkuar më shumë agresivitet dhe ritëm nga lojtarët e tij.
“Këmbëngulëm për më shumë intensitet, më shumë vertikalitet dhe më shumë depërtim. Synimi ynë ishte ta vinim kundërshtarin nën presion që nga minuta e parë dhe ta shtynim pranë zonës së tij”.
“Është normale që ata të jenë ndier të mërzitur ose të zemëruar. Askush nuk dëshiron që profesionalizmi dhe puna e tij të vihen në dyshim”.
“Ne donim të jepnim një mesazh, të reagonim dhe të vazhdonim një projekt që po ndërtohet prej kohësh”.
De la Fuente theksoi kontrollin që Spanja pati gjatë ndeshjes, veçanërisht në qarkullimin e topit dhe ritmin në sulm.
“Intensiteti, ritmi, qarkullimi i topit… Topi lëvizi shumë dhe me qëllim, duke krijuar thellësi në lojë. Jemi të lumtur sepse këto janë tiparet që përfaqësojnë identitetin tonë”.
Në fund, ai foli edhe për situatën e Lamine Yamalit, duke sqaruar se zëvendësimi i tij ishte pjesë e planit.
“Varej nga mënyra si do të shkonte ndeshja, por ai e dinte se kjo ishte një fazë e rëndësishme. Tani është gati t’i çojë ndeshjet deri në fund”.
“Është mirë ta lësh me dëshirën për më shumë dhe ai e kupton në mënyrë perfekte këtë. Ai është i lumtur dhe ne gjithashtu”, përfundoi ai.


