Bielsa paralajmëron planin e Uruguait ndaj Spanjës, me fokus të veçantë te Yamal

Bielsa paralajmëron planin e Uruguait ndaj Spanjës, me fokus të veçantë te Yamal

Lajme

Përzgjedhësi i Uruguait, Marcelo Bielsa, e ka pranuar se ekipi i tij do të ketë përballë një provë të fortë kundër Spanjës dhe Lamine Yamalit në Kampionatin Botëror 2026.

Teksa foli për rrezikun që sjell sulmuesi i ri, tekniku uruguaian zbuloi edhe qasjen taktike që synon të përdorë për ta frenuar atë.

“Është një lojtar që mund të ndryshojë ndeshjen. Do të ketë diskutime mes lojtarit që e markon rregullisht dhe nevojës për ta ndihmuar atë në fushë për ta ndalur në atë zone”, tha ai.

“Do të ketë ndihmë nga lojtarët uruguaianë për ta neutralizuar, sepse është një lojtar vendimtar që mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes”.

Sipas Bielsas, Uruguai do të mbetet besnik ndaj mënyrës së vet të lojës, edhe pse në ndeshjet ndaj Arabisë Saudite dhe Kepit të Gjelbër skuadra ka shfaqur luhatje në paraqitje.

“Do të bëjmë atë që bëjmë gjithmonë. Kundër Arabisë Saudite dhe Kepit të Gjelbër kemi pasur ulje dhe ngritje; ajo që dua është që ekipi të jetë dinamik, të marrë iniciativën dhe të jetë në gjendje ta bëjë këtë edhe kundër një kundërshtari më të fortë”.

Ai theksoi se forca e Spanjës qëndron te loja kolektive, ndërsa ndërtimi i aksioneve mbetet elementi kryesor në të gjitha fazat e saj.

“Stili i lojës së Spanjës bazohet në ekipin. Krijimi i aksioneve është prioritet në çdo aspekt të lojës së tyre, prandaj mbrojtja do të jetë vendimtare dhe nuk do të jetë aspak e lehtë”.

Bielsa shtoi se kufizimi i kontrollit të topit nga kundërshtari është një prej mënyrave më efikase për t’u mbrojtur ndaj një skuadre si Spanja.

“Një nga mënyrat më të mira për t’u mbrojtur është të kufizosh posedimin e kundërshtarit dhe ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë”, përfundoi ai.

Në të njëjtën kohë, para kësaj përballjeje të rëndësishme, në kampin uruguaian kanë qarkulluar raportime për pakënaqësi të disa futbollistëve lidhur me ngarkesën e madhe në seancat stërvitore të drejtuara nga Bielsa.

Promo