Kombëtaret

Shawcross kujton si Zlatan Ibrahimovici i dha fund aventurës së tij me Anglinë pas vetëm 10 minutash

Përballja me Zlatan Ibrahimovicin në periudhën më të mirë të sulmuesit suedez ishte një provë e fortë për çdo mbrojtës. Ish-qendërmbrojtësi anglez Ryan Shawcross e kujton ende debutimin me përfaqësuesen e Anglisë, ku kaloi vetëm 10 minuta në fushë kundër tij. Familjarët e tij e kanë kthyer atë…

Shawcross kujton si Zlatan Ibrahimovici i dha fund aventurës së tij me Anglinë pas vetëm 10 minutash

Përballja me Zlatan Ibrahimovicin në periudhën më të mirë të sulmuesit suedez ishte një provë e fortë për çdo mbrojtës. Ish-qendërmbrojtësi anglez Ryan Shawcross e kujton ende debutimin me përfaqësuesen e Anglisë, ku kaloi vetëm 10 minuta në fushë kundër tij. Familjarët e tij e kanë kthyer atë episod në shaka, duke thënë se Zlatani ia “shkatërroi” karrierën ndërkombëtare.

Pas disa sezonesh të mira me Stoke Cityn në Ligën Premier, Shawcross u thirr për herë të parë nga Anglia në vitin 2012. Ai e kishte pritur gjatë këtë mundësi, por ndeshja e debutimit ishte e vështirë: kundërshtar ishte Suedia dhe në sulmin e saj luante Ibrahimovici, një prej futbollistëve më të rrezikshëm në botë.

Shawcross u aktivizua për rreth 10 minuta dhe nuk arriti të shfaqte atë që kishte shpresuar. Që prej atëherë, të afërmit ia përmendnin shpesh me humor se Zlatani ia kishte mbyllur rrugën te Anglia.

Ish-mbrojtësi foli për këtë episod me nota humori në një intervistë të cituar nga “The Telegraph”.

“Në familjen time jam gjithmonë objekt shakash, sepse 10 minutat e mia në futbollin ndërkombëtar u shkatërruan nga një njeri. Ata përsërisin vazhdimisht se Zlatan ma shkatërroi karrierën! M’u dha një mundësi dhe nuk besoj se shumë mbrojtës të tjerë kanë arritur ta ndalin”, tha ai.

“Kisha 10 minuta për të treguar aftësitë e mia dhe ndoshta nuk luajta aq mirë sa duhej. Përballë kisha një nga sulmuesit më të mirë të botës, që në atë periudhë po kalonte një seri të mirë. Këto gjëra ndodhin”, kishte deklaruar Shawcross.

Ato minuta rezultuan të vetmet për të me fanellën e Anglisë. Megjithëse vazhdoi të paraqitej mirë me klubet dhe kaloi vite të qëndrueshme në Ligën Premier, ai nuk u ftua më nga përfaqësuesja.

Karriera e Shawcrossit në futbollin anglez nisi në akademinë e Manchester Unitedit, ndërsa për një periudhë luajti i huazuar te Royal Antwerp. Më pas kaloi te Stoke City, ku u bë një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës dhe një mbrojtës i vlerësuar në Ligën Premier.

Ndërkohë, Ibrahimovici vijoi të luante në nivelet më të larta të futbollit evropian, duke përfaqësuar klube si Barcelona, Interi, Milani, Paris Saint-Germaini dhe Manchester Unitedi. Ai e mbylli karrierën në vitin 2023, me 949 paraqitje dhe 558 gola për klubet dhe ekipin kombëtar.