Ardian Ismajli i është nënshtruar me sukses një operacioni në dorën e djathtë, bëri të ditur klubi i tij, Torino.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u operua në Torino, pasi pësoi dëmtim në ndeshjen e fundjavës së kaluar ndaj Napolit.
Ai u lëndua të shtunën, kur Torino humbi 1-0 ndaj skuadrës napolitane në takimin e vlefshëm për javën e 12-të të Serie A.
Përveç dëmtimit në dorë, Ismajli po vuan edhe nga një problem në muskujt e kofshës së majtë, i cili pritet ta lërë jashtë fushës për rreth një muaj.
Mungesa e 30-vjeçarit përbën një humbje për Torinon, ku ai ka qenë ndër lojtarët me rol të rëndësishëm këtë sezon.
Ismajli ka zhvilluar deri tani 13 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
