Me dy gola të Rasmus Hojlund, Danimarka triumfoi 4-1 përballë Portugalisë në takimin e raundit të pestë të Ligës së Kombeve.
Danezët morën iniciativën që në fillim, duke ndërtuar disa mundësi të mira për të shënuar. Në minutën e 39-të, Hojlund e çoi topin në rrjetë, por pozicioni jashtë loje bëri që realizimi të mos quhej i vlefshëm.
Zhbllokimi i rezultatit erdhi katër minuta më pas. Pas rishikimit të një prekjeje të topit me dorë nga Ruben Dias brenda zonës së rreptësisë, Danimarkës iu akordua penallti. Pierre-Emile Hojbjerg mori përsipër ekzekutimin dhe në minutën e 43-të kaloi vendasit në avantazh 1-0.
Pas pushimit, protagonist u bë Hojlund, i cili në minutën e 50-të dyfishoi epërsinë. I shërbyer nga Mikkel Damsgaard, sulmuesi danez goditi me volej dhe shënoi për 2-0.
Shtatë minuta më pas, Hojlund plotësoi dygolëshin personal dhe e çoi rezultatin në 3-0. Pas një pasimi të shkëlqyer nga Pierre-Emile Hojbjerg, ai përfundoi aksionin me një goditje nga afërsia.
Epërsia daneze u zgjerua në minutën e 75-të, kur Joachim Andersen iu shmang mbulimit dhe goditi saktë me kokë pas topit të harkuar nga Mathias Jensen në ekzekutimin e një goditjeje të lirë, duke shënuar për 4-0.
Portugalia arriti të gjente vetëm golin e nderit: Bernardo Silva realizoi në minutën e 92-të, duke fiksuar rezultatin përfundimtar 4-1.
