Për dy takimet përmbyllëse të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit dhe Irlandës, Kombëtarja e Kosovës ka filluar përgatitjet.
Seanca e parë u mbajt në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, me pjesëmarrjen e 15 futbollistëve. Mes tyre ishte Enis Rexhepi i Sttugartit, i cili stërviti për herë të parë me Kombëtaren e Kosovës.
Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulus iu bashkuan sot skuadrës në Kosovë dhe janë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për përgatitjet e dy ndeshjeve.
Futbollistët e tjerë kryen një seancë rigjenerimi në palestrën e hotelit. Atmosfera në kamp raportohet shumë e mirë, ndërsa ekipi po punon me përkushtim për t’u përgatitur sa më mirë për dy përballjet e rëndësishme të nëntorit.
Ndeshjen e parë Kosova do ta luajë të shtunën në Prishtinë kundër Izraelit, në një përballje me rëndësi të veçantë për renditjen në Grupin B3. Më pas, skuadra e Franco Fodës do të udhëtojë në Irlandë, ku tri ditë më vonë do të zhvillojë takimin e fundit të këtij edicioni.
