FC Qyzyljar Petropavlovsk ka prezantuar Liridon Latifin si afrimin më të ri të skuadrës. Siç kishte raportuar “Newsport.al” disa javë më parë, sulmuesi 32-vjeçar i ka dhënë fund qëndrimit te Shkëndija e Tetovës për të vijuar karrierën në Premier Ligën e Kazakistanit.
Klubi i Qyzyljar nuk ka shpenzuar asnjë “kacidhe” për transferimin e tij, pasi Latifi ishte lojtar i lirë dhe pa kontratë. Futbollisti ka hedhur firmën mbi një marrëveshje 1.5-vjeçare, e cila do të zgjasë deri në fund të vitit 2027.
Sa i përket rrugëtimit të tij në futboll, Latifi e ka nisur karrierën te Prishtina. Më pas, ai ka veshur edhe fanellat e Skënderbeut, Kukësit, Puskas AFC, Sheriff Tiraspol, Vllaznisë dhe Tiranës.


