Kombëtarja e Iranit mori vëmendjen e opinionit sportiv ndërkombëtar pas një gjesti të veçantë që bëri pas barazimit 0-0 me Belgjikën, në raundin e dytë të Grupit G në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja u luajt në stadiumin SoFi në Los Angeles, ndërsa pas saj futbollistët iranianë lanë në dhomën e zhveshjes një mesazh prekës, ku falënderonin qytetin amerikan për mikpritjen dhe përcillnin një thirrje për paqe e respekt mes kombeve.
Dy përballjet e para të turneut Irani i zhvilloi në Los Angeles. Autoritetet amerikane u dhanë mundësi lojtarëve iranianë të qëndronin 24 orë në qytet, përpara se të ktheheshin në kampin e tyre në Tijuana të Meksikës.
Në mesazhin e lënë në dhomën e zhveshjes thuhej:
“Nga Persia e lashtë mijëra vjet më parë deri te Irani i qytetëruar i sotëm, shpirti i Iranit mbetet i gjallë dhe i palëkundur. Erdhëm në Los Angeles me krenari, garuam me nder dhe largohemi me dinjitet. Faleminderit Los Angeles për mikpritjen tuaj. Faleminderit çdo iraniani që dha zemrën, zërin dhe shpirtin e tij për Iranin gjatë këtyre 180 minutave. Paqja, respekti dhe miqësia mbizotëroftë mes të gjitha kombeve”.
Mesazhi ishte shoqëruar edhe me dy zemra, si simbol i unitetit dhe mirëkuptimit.
Ndeshjen e fundit në fazën e grupeve, Irani do ta luajë më 27 qershor ndaj Egjiptit. Takimi në Seattle do të jetë vendimtar për fatin e skuadrës iraniane në Kupën e Botës 2026.


