Gazetarët e Telegrafit, Lavdim Pireva, Shkumbin Pireva dhe Bardh Maxhuni, janë pjesë e episodit të radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, ku diskutojnë zhvillimet e fundit rreth Kombëtares së Kosovës.
Në qendër të bisedës janë dy ndeshjet e fundit të Dardanëve në grup: përballja me Izraelin në Prishtinë dhe ajo me Irlandën në Dublin. Gazetarët shqyrtojnë rëndësinë e këtyre sfidave, objektivat e Kosovës dhe mundësitë për ta përfunduar me sukses këtë edicion.
Diskutimi ndalet edhe te lista me 27 futbollistë e publikuar nga përzgjedhësi Franco Foda. Vëmendje e veçantë u kushtohet tri prurjeve të reja, Lindrit Kamberit, Bleon Kurtulusit dhe Enis Rexhepit, si dhe gjasave që ata të debutojnë me fanellën e Kosovës.
Lavdim Pireva, Shkumbin Pireva dhe Bardh Maxhuni flasin për rikthimet e Elvis Rexhbeçajt dhe Kreshnik Hajrizit, por edhe për mungesat e Valmir Matoshit, Erblin Osmanit dhe Lumbardh Dellovës. Ata trajtojnë zgjedhjet taktike të Fodës, përfshirë mundësinë e aktivizimit të Vedat Muriqit dhe Fisnik Asllanit si dy sulmues, si dhe rolet e Edon Zhegrovës dhe Milot Rashicës.
Sa i përket kundërshtarëve, gazetarët analizojnë pikat e forta të Izraelit dhe lojtarët e tij që mund t’i krijojnë rrezik mbrojtjes së Kosovës. Në bisedë trajtohet gjithashtu vështirësia e përballjes me Irlandën në Dublin.
Episodi përfshin edhe zhvillimet lidhur me futbollistët e rinj që mund t’i bashkohen Kombëtares. Mes tyre është lajmi ekskluziv i Telegrafit për vendimin e talentit Lutfi Dalipi që të përfaqësojë Kosovën, një zhvillim i rëndësishëm për të ardhmen e Dardanëve.
Përmes këtyre temave, “Arena e Yjeve” sjell një vështrim mbi gjendjen aktuale të përfaqësueses dhe pritshmëritë ndaj saj. Episodi i plotë mund të ndiqet në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.
