Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, mësohet se ka hyrë personalisht në këtë çështje duke komunikuar me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar rishqyrtimin e pezullimit të sulmuesit Folarin Balogun. Kjo ndërhyrje, sipas raportimeve, ndodhi vetëm disa orë pasi futbollisti i SHBA-së u ndëshkua me karton të kuq në përballjen ndaj Bosnjë e Hercegovinës.
“The New York Times” raporton se Trump e telefonoi Infantinon dhe i kërkoi të merrte në shqyrtim rastin e Balogunit, i cili në bazë të rregullave duhej të mungonte në ndeshjen e 1/16 së finales ndaj Belgjikës.
Më pas, të dielën, FIFA mori një vendim që u konsiderua befasues, duke pezulluar zbatimin e dënimit dhe duke bërë të ditur se Balogun do të ishte i lejueshëm për të luajtur kundër Belgjikës.
Një hap i tillë cilësohet jashtëzakonisht i rrallë, pasi për herë të parë që nga viti 1962 një lojtar lejohet të aktivizohet në Kupën e Botës, ndonëse ishte pezulluar automatikisht pas një kartoni të kuq.
Sipas të njëjtit raportim, pas daljes me të kuq të Balogunit, zyrtarë të lartë të administratës amerikane, mes tyre sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe Andrew Giuliani, u përfshinë së bashku me avokatë për të ndihmuar Federatën Amerikane të Futbollit në apelimin e çështjes, edhe pse rregulloret e FIFA-s nuk parashikojnë një procedurë të tillë.
Thelbi i argumentimit ishte se kartoni i kuq ishte akorduar gabimisht, pasi arbitri kishte përdorur pamjet me lëvizje të ngadaltë gjatë verifikimit me VAR.
Raporti thekson gjithashtu se Trump rikujtoi pretendime të mëhershme ndaj arbitrit brazilian Raphael Claus, i cili më parë ishte akuzuar publikisht për manipulim ndeshjesh në Brazil. Megjithatë, as autoritetet braziliane dhe as FIFA nuk kanë gjetur prova që t’i mbështesin këto akuza.
Pasi Balogun u rikthye në dispozicion, Trump zhvilloi edhe një tjetër telefonatë me Infantinon, të cilin e përgëzoi për vendimin. Ai kontaktoi po ashtu trajnerin e SHBA-së, Mauricio Pochettino, për t’i uruar fat për sfidën ndaj Belgjikës.
Ky vendim i FIFA-s solli reagim të fortë nga Federata e Futbollit e Belgjikës, e cila u shpreh se ishte “e habitur” nga ky zhvillim dhe bëri të ditur se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore.
Në sqarimin e saj zyrtar, FIFA bëri të ditur se pezullimi i Balogunit është shtyrë për një periudhë prove njëvjeçare. Në rast se sulmuesi amerikan kryen një shkelje të ngjashme gjatë kësaj kohe, dënimi do të zbatohet automatikisht, përveç çdo mase tjetër ndëshkimore që mund të vijë për incidentin e ri.
Ngjarja ka ndezur një debat të gjerë në botën e futbollit mbi raportin mes Infantinos dhe Trumpit, ndërsa shumë drejtues futbolli kanë ngritur dyshime nëse është vendosur një precedent që mund të shfrytëzohet edhe nga përfaqësuese të tjera në situata të ngjashme.


