Një gol në suksesin e së martës kundër PSV-së e çoi Federico Valverden në kuotën e nëntë realizimeve në Ligën e Kampionëve me Real Madridin. Mesfushori uruguaian i ka shënuar këto gola në 84 paraqitje.
Me këtë arritje, Valverde kaloi Angel Di Marian, Gonzalo Higuainin dhe Luka Modricin, të cilët secili kishte shënuar nga tetë herë për madrilenët në këtë kompeticion.
Di Maria e regjistroi këtë numër në 39 ndeshje, gjatë viteve 2010-2014. Higuainit iu deshën 48 paraqitje për të realizuar tetë gola, në periudhën 2006-2013.
Modrici, nga ana tjetër, shënoi tetë gola në 134 ndeshje të Ligës së Kampionëve me klubin spanjoll.
Kështu, uruguaiani vazhdon të lërë gjurmë te Real Madridi, duke kaluar në këtë renditje disa prej futbollistëve të njohur që kanë veshur fanellën e gjigantit spanjoll.
