Kylian Mbappe shënoi dy herë ndaj PSV Eindhoven, duke e çuar në 105 numrin e golave të tij me fanellën e Real Madridit dhe duke kaluar Ronaldo Nazario, i cili kishte realizuar 104 gola në 177 ndeshje.
Francezi luajti rol të rëndësishëm në përmbysjen e madrilenëve të martën në mbrëmje në Santiago Bernabeu. Reali u rikthye nga disavantazhi 0-1 dhe fitoi 5-1 ndaj PSV-së, në raundin e pestë të Ligës së Kampionëve. Në listën e golashënuesve të ekipit spanjoll u regjistruan edhe Jude Bellingham, Federico Valverde dhe Vinicius Junior.
Mbappe i ka realizuar 105 golat në 121 paraqitje. Ronaldo Nazario, ndërkohë, shënoi 104 herë për Realin në 177 ndeshje, gjatë periudhës 2002-2007.
Me këtë shifër, Mbappe ka barazuar Luis Molownyn dhe është vetëm një gol larg Gareth Bale, i cili ka shënuar 106 gola për klubin. Në krye të renditjes historike qëndron Cristiano Ronaldo me 450 gola, ndërsa Karim Benzema është i dyti me 354.
Dy golat ndaj PSV-së e çuan Mbappen në kuotën e 76 realizimeve në Ligën e Kampionëve. Para tij në këtë renditje janë Cristiano Ronaldo me 140, Lionel Messi me 129, Robert Lewandowski me 109 dhe Karim Benzema me 90 gola.
Pas kësaj fitoreje, Real Madridi mori përkohësisht vendin e parë në tabelën e Ligës së Kampionëve, me pesë fitore në pesë ndeshje.
