Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, u ka bërë thirrje futbollistëve të tij të vazhdojnë të luajnë me vetëbesim dhe pa ngarkesë, ndërsa ekipi synon të sigurojë kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës.
Një sukses ndaj Ganës në Boston Stadium do t’i jepte Anglisë kualifikimin automatik për në raundin tjetër. Ndërkohë, “Tre Luanët” do ta mbyllnin grupin L në krye nëse Kroacia nuk humbet përballë Panamasë.
Skuadra angleze është në kërkim të një arritjeje që do ta realizonte për herë të katërt në histori: fitimin e dy ndeshjeve të para në një Botëror, siç ka ndodhur më parë në vitet 1982, 2006 dhe 2018.
Edhe pse ekipi ka pasur disa pasiguri në mbrojtje, trajneri gjerman nuk ka ndërmend të bëjë shumë ndërhyrje në mënyrën aktuale të lojës.
“Jam një trajner shumë i lumtur dhe shumë me fat, sepse lojtarët erdhën me këtë mentalitet. Nuk më është dashur t’ua krijoj unë këtë mënyrë të menduari, ata e kishin tashmë”.
“Tani sfida është t’i mbajmë në këtë gjendje mendore. Një dirigjent shumë i famshëm ka thënë: ‘Nuk dua ta prish muzikën dhe nuk dua t’i prish muzikantët’. Kjo është pak a shumë ajo që përpiqemi të bëjmë si staf teknik”.
“Ne nuk i pengojmë lojtarët dhe nuk e komplikojmë ndeshjen. Thjesht i inkurajojmë të luajnë me liri, veçanërisht në repartin ofensiv”.
Tuchel vuri në pah edhe angazhimin e skuadrës në fazën mbrojtëse, duke nënvizuar se organizimi kolektiv pa top ka qenë një prej elementeve më të forta të ekipit.
“Është mjaft mbresëlënëse të shohësh se si të gjithë e kanë përqafuar idenë e mbrojtjes së përbashkët. Këtë e bëmë shkëlqyeshëm në pjesën e dytë kundër Kroacisë, duke ushtruar presion të lartë vazhdimisht”.
Lidhur me ndeshjen ndaj Ganës, ai pret një sfidë me tipare të ndryshme nga ajo kundër Kroacisë, por theksoi se Anglia duhet të jetë e përgatitur për çdo zhvillim në fushë.
“Ndeshja do të zhvillohet sipas rrjedhës së saj. Nuk mund të parashikojmë gjithçka që do të ndodhë. Pres një takim paksa ndryshe nga ai me Kroacinë për shkak të stilit të ndryshëm të kundërshtarit, por kush e di? Duhet të jemi gati të gjejmë përgjigje për çdo pyetje që na paraqitet”, përfundoi ai.


