Java e tetë e kampionatit Abissnet Superiore për femra u mbyll këtë të diel me dy përballje: Teuta – Apolonia dhe Kinostudio Femra – Partizani. Në fushën e stadiumit “Niko Dovana”, ekipi durrsak fitoi 2–0 ndaj Apolonisë.
Skuadra e drejtuar nga Arian Sheta realizoi nga një gol në secilën pjesë. Mikaela Metalla zhbllokoi sfidën, ndërsa Klea Hamonikaj vulosi fitoren dhe siguroi tri pikët për Teutën.
Falë këtij rezultati, durrsaket ngjiten në krye me 21 pikë, njësoj si Apolonia, por me golavarazh më të mirë. Në takimin tjetër, Partizani fitoi 4–0 ndaj Kinostudios Femra.
