Sigurimi s’e njohu, sulmuesi i Spanjës mbeti përkohësisht jashtë hotelit të kombëtares

Lajme

Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur sulmuesit të Spanjës, Borja Iglesias, gjatë Kupës së Botës 2026, pasi sigurimi i hotelit të kombëtares nuk e njohu dhe nuk e lejoi të hynte.

Pas sfidës së Spanjës ndaj Kepit të Gjelbër, trajneri Luis de la Fuente u dha futbollistëve një ditë pushim për t’u relaksuar përpara ndeshjes së ardhshme me Arabinë Saudite.


Borja Iglesias zgjodhi të kalonte disa orë larg hotelit, por kur u kthye u përball me një situatë të papritur. Punonjësit e sigurisë nuk e identifikuan sulmuesin 33-vjeçar dhe i kërkuan akreditimin, si edhe dëshmi që ai ishte pjesë e delegacionit të Spanjës.

“Unë jam lojtar i ekipit kombëtar të Spanjës. Duhet të futem në hotel”, u tha Iglesias punonjësve të sigurisë në anglisht.

Sipas raportimeve, tifozët dhe gazetarët që ndodheshin aty u përpoqën t’i bindnin punonjësit se bëhej fjalë vërtet për një futbollist të kombëtares spanjolle, por situata mori zgjidhje vetëm pasi Iglesias telefonoi një anëtar të delegacionit të Spanjës.

Në fund, sulmuesi i Celta Vigos arriti të hynte sërish në hotelin ku është vendosur kombëtarja spanjolle në Chattanooga, Tennessee.


Ndërkohë, Spanja vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në Kupën e Botës kundër Arabisë Saudite, ndërsa Borja Iglesias shpreson që me paraqitjet e tij në fushë të bëhet edhe më i njohur.


Promo