Lutfi Dalipi ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën, ndërsa zgjedhja e tij është pasqyruar nga mediat zvicerane Blick dhe 20 Minuten.
Blick e ka publikuar lajmin me titullin “Talenti i madh ka marrë vendimin për kombëtaren”. Mediumi shkruan se 20-vjeçari, i lindur dhe i rritur në Zvicër, ka luajtur për përfaqësueset e grupmoshave të këtij vendi deri te U21.
Sipas Blick, Dalipi mund të zgjidhte mes Kosovës, Shqipërisë dhe Portugalisë. Ai kishte premtuar se do të përfaqësonte njërin prej dy vendeve shqiptare dhe vendosi ta mbante këtë premtim duke zgjedhur Kosovën.
Edhe 20 Minuten e ka trajtuar vendimin e tij si një tjetër refuzim të një talenti ndaj përfaqësueses zvicerane. Artikulli i mediumit mban titullin “Çështje zemre – talenti i radhës i kombëtares i thotë jo Zvicrës”.
Dalipi po zhvillon një sezon të shkëlqyeshëm te Vaduzi, ku luan i huazuar nga Young Boys. Deri tani, ai ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 9 asistime, ndërsa paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të mëdha evropiane.
Para tij, edhe Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari vendosën të mos luanin për Zvicrën, por të përfaqësonin Dardanët.
