Raúl Rangel është shndërruar në një nga emrat më të spikatur të Kupës së Botës 2026, teksa portieri i Meksikës ka pasur rol vendimtar në ecurinë e përfaqësueses së tij drejt raundit të 16-të, ku e pret përballja me Anglinë.
Së bashku me Spanjën, Meksika mbetet e vetmja kombëtare në këtë turne që nuk ka pësuar ende asnjë gol. Në katër ndeshje të zhvilluara, Rangel ka grumbulluar 348 minuta pa u mposhtur, shifër që e vendos mbi çdo portier tjetër në këtë edicion.
Portieri i Chivas është larguar nga fusha vetëm një herë, në minutën e 78-të të suksesit 3-0 përballë Republikës Çeke, moment kur trajneri Javier Aguirre aktivizoi për pak minuta edhe Guillermo Ochoas, në Kupën e tij të gjashtë të Botës.
Me këtë seri prej 348 minutash pa pësuar, Rangel ka lënë pas Ignacio Calderónin, që kishte arritur 283 minuta në vitin 1970, si edhe Pablo Lariosin me 276 minuta në vitin 1986.
Kjo e bën atë portierin meksikan me ecurinë më të gjatë pa pësuar gol në historinë e Kupave të Botës. Sipas statistikave të Footmob, ai është gjithashtu gardiani që ka shmangur më shumë gola të pritshëm në turne, me 1.70 xG të ndalur.
Njëkohësisht, Rangel është bërë portieri i shtatë në histori që e nis një Kupë Bote me katër ndeshje radhazi pa pësuar gol. Para tij, këtë arritje e kishin regjistruar Gilmar, Gordon Banks, Emerson Leao, Carlos, Walter Zenga dhe Pascal Zuberbühler.
Pas fitores 1-0 ndaj Koresë së Jugut, Rangel ishte shprehur se “Jemi të destinuar për gjëra të mëdha”. Ai kishte nënvizuar se ishte rritur nga ndeshja në ndeshje dhe se kishte qenë gati të përgjigjej sa herë ekipi kishte nevojë për të.
Edhe përzgjedhësi Javier Aguirre ka folur me vlerësim për portierin e tij, duke theksuar se gjatë këtij turneu Rangel ka fituar më shumë qetësi dhe eksperiencë.
Sipas Aguirres, në sfidën ndaj Afrikës së Jugut portieri pati disa çaste pasigurie, por kundër Koresë së Jugut reagoi shumë mirë, duke realizuar pritjet e domosdoshme në momentet vendimtare.
Rruga e Rangelit drejt kësaj skene ka qenë po aq domethënëse sa edhe paraqitjet e tij në fushë. Përpara se të bëhej portieri i Meksikës në Kupën e Botës, ai kishte punuar në profesione të ndryshme për të ndihmuar familjen.
Ai ka shitur karamele, ka larë makina, ka shpërndarë mish dhe bukë, ndërsa një nga angazhimet më të rënda ishte puna në prodhimin e tullave. Të afërmit e tij kanë treguar se ai nisej herët në mëngjes dhe rikthehej në shtëpi i mbuluar me baltë, pas shumë orësh pune.
Tashmë, pas një rruge të gjatë me shumë sakrifica, Raúl Rangel është kthyer në “murin” e Meksikës. Tani ai kërkon ta zgjasë serinë pa gol të pësuar edhe në sfidën ndaj Anglisë, në një prej provave më të mëdha të karrierës së tij.



