Në prag të ndeshjes së parë ndaj BATE Borisov, e vlefshme për kualifikueset e Conference League, ka dalë në prononcim mbrojtësi dhe kapiteni i Elbasanit, Bruno Lulaj. Takimi do të zhvillohet të martën në stadiumin “Elbasan Arena”, me fillim nga ora 20:00.
“Përballë do të kemi një skuadër me përvojë në këto kompeticione europiane. BATE-n e çmojmë dhe e respektojmë, por nga ana jonë kemi punuar shumë për të qenë gati.
Duhet të tregojmë në fushë gjithçka që kemi përgatitur gjatë kësaj jave dhe të shpresojmë për më të mirën. Jam shumë i bindur që atmosfera do të jetë entuziaste dhe stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë. Ky qytet, që e do kaq shumë futbollin, e ka pritur këtë ndeshje prej 20 vitesh dhe ne po e presim me padurim që t’u japim kënaqësi tifozëve dhe gjithë qytetit, si edhe të sigurojmë një rezultat pozitiv për ta.
Kështu është futbolli, sepse lojtarët nuk janë të përjetshëm, ndërsa e vetmja gjë që mbetet përjetë është emblema që mbajmë në zemër. Futbollistët e rinj janë përshtatur shumë mirë me skuadrën, ndërsa ne, lojtarët më të vjetër, i kemi ndihmuar. Janë futbollistë cilësorë dhe djem shumë të mirë dhe shpresoj që do të na ndihmojnë”, u shpreh Lulaj.









