Sipas raportimeve të ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, Manchester United e ka vendosur mesfushorin e Real Madridit, Aurelien Tchouameni, mes objektivave kryesorë për afatin kalimtar të verës.
Klubi anglez thuhet se është i përgatitur të avancojë për afrimin e reprezentuesit francez, por kjo lëvizje mund të ndodhë vetëm në rast se lojtari pranon të reduktojë kërkesat e tij financiare.
Në “Old Trafford” ekziston shqetësim për koston totale të marrëveshjes, ku përfshihen si shuma e transferimit, ashtu edhe paga e lartë e 26-vjeçarit.
Megjithëse interesimi i “Djajve të Kuq” mbetet i madh, Tchouameni deri më tani nuk ka dhënë sinjale se dëshiron të largohet nga Real Madridi.
Francezi synon të vazhdojë te “Santiago Bernabeu”, përderisa i sigurohet një rol i rëndësishëm në formacionin titullar.
Situata e tij pritet të marrë edhe më shumë vëmendje nëse ai spikat me kombëtaren e Francës në Kupën e Botës, pasi një paraqitje e mirë do t’ia rriste edhe më shumë vlerën në treg.



