Lutfi Dalipi, futbollisti nga Presheva, po përgatitet të vendosë cilën përfaqësuese do të zgjedhë. Pasi vendosi të mos luajë më për Zvicrën, ai do të zgjedhë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Një tjetër vendim i rëndësishëm e pret së shpejti mesfushorin me tipare ofensive. Dalipi pritet të ndërrojë skuadër gjatë verës dhe për të interesohen disa klube, mes tyre Hoffenheim, Eintracht Frankfurt dhe Stuttgart nga Bundesliga, si edhe gjiganti austriak RB Salzburg.
Sipas “Transferfeed”, tri skuadrat gjermane synojnë ta transferojnë sa më shpejt futbollistin shqiptar. Ato e dinë, megjithatë, se një marrëveshje në janar është e vështirë, pasi një shitje e mundshme kërkon miratimin e Vaduzit dhe të Young Boys, klubit që zotëron kartonin e tij.
Fjala e fundit i takon Young Boys, me të cilin Dalipi ka kontratë deri në qershor 2030.
Aktualisht, 20-vjeçari është i përqendruar te zgjedhja e përfaqësueses. Të enjten ai njoftoi Federatën Zvicerane se nuk do të luajë më për Zvicrën, pasi i ka premtuar gjyshit se do të përfaqësojë Kosovën ose Shqipërinë.
