Ndeshja mes Borussia Dortmundit dhe Betisit, e fituar 2-1 nga gjermanët, u njollos nga një skenë e papranueshme në shkallët e stadiumit, ku një grup mbështetësish spanjollë nuk e respektuan fare minutën e heshtjes për nder të futbollistit të ndjerë Jesus de Miguel.
Federata Evropiane e Futbollit kishte urdhëruar që përpara çdo ndeshjeje të organizuar nën ombrellën e saj të mbahej një minutë heshtje në kujtim të De Miguelit, i cili humbi jetën pas një goditjeje të rëndë në takimin midis Tenerifes dhe Andorrës.
Në impiantin Signal Iduna Park, spikeri i stadiumit kishte njoftuar minutën e heshtjes dhe të pranishmit u ngritën në këmbë për të nderuar futbollistin e ndjerë. Por vetëm pak çaste më vonë, një pjesë e tifozëve vizitorë filluan të bisedonin, të thërrisnin dhe të këndonin me zë të lartë.
Situata u përkeqësua kur i gjithë sektori i tifozëve të Betisit u bashkua me thirrjet, duke nxitur mbështetësit vendas të shprehnin pakënaqësinë me fishkëllima. Në këtë mënyrë, minuta e heshtjes u ndërpre tërësisht për shkak të veprimeve të tifozëve spanjollë.
Pamjet e incidentit ngjallën një valë reagimesh në rrjetet sociale, ndërsa gazetari spanjoll Albert Ortega e përshkroi sjelljen e tyre si të turpshme dhe të neveritshme.
Deri atëherë, minuta e heshtjes për De Miguelin ishte mbajtur me respekt në ndeshjet e tjera, dhe ngjarja në Dortmund mbeti i vetmi rast i raportuar i shkeljes së këtij nderimi.
Lidhur me rezultatin, Borussia Dortmundi fitoi 2-1 kundër Betisit. Silva i dha epërsinë vendasve në minutën e 49-të, Ruibal barazoi për miqtë në të 67-tën, ndërsa Karetsas realizoi golin e fitores për gjermanët në minutën e 72-të.
