Kolumbia e hapi me sukses rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026, teksa triumfoi 3-1 ndaj Uzbekistanit në ndeshjen e parë të Grupit K, të luajtur në Mexico City.
Figura qendrore e mbrëmjes ishte Luis Diaz, i cili dha një asist dhe realizoi një gol, duke udhëhequr kolumbianët drejt tre pikëve të para.
Takimi nisi me intensitet të lartë dhe me disa ndërhyrje të forta, ndërsa mundësia e parë e rrezikshme u regjistrua në minutën e 17-të, kur Arias provoi me një goditje nga distanca. Në minutën e 32-të, Luis Diaz iu afrua golit, por tentativa e tij u ndal nga shtylla.
Avantazhi i Kolumbisë erdhi në minutën e 41-të. Ylli i Bayernit dërgoi një top mjaft të mirë në zonë dhe Daniel Munoz u pozicionua saktë për të kaluar ekipin e tij në epërsi 1-0.
Në nisje të pjesës së dytë, trajneri i Uzbekistanit, Fabio Cannavaro, ndërhyri me dy zëvendësime dhe ato rezultuan të suksesshme. Pas pritjes së Vargas ndaj goditjes së Shomurodovit, topi shkoi te Abbosbek Fayzulayev, i cili barazoi në 1-1 në minutën e 60-të, duke ndezur entuziazmin e tifozëve uzbekë.
Gjithsesi, festa e debutuesve në Kupën e Botës zgjati vetëm gjashtë minuta. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Kevin Castano gjeti Luis Diazin në krahun e majtë dhe sulmuesi kolumbian shënoi me një goditje të saktë për 2-1.
Uzbekistani u përpoq të rikthehej sërish në ndeshje, por Kolumbia e menaxhoi mirë avantazhin. Në minutën e nëntë të kohës shtesë, Jaminton Campaz vulosi suksesin me një gol me kokë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Në këtë mënyrë, Kolumbia e nis me fitore aventurën e saj në Botërorin 2026, ndërsa Uzbekistani, që po paraqitet për herë të parë në këtë kompeticion nën drejtimin e Fabio Cannavaros, la sinjale pozitive pavarësisht humbjes.


