Lojtari i ri i Kosovës, Lindrit Kamberi, shprehet optimist për ndeshjen me Izraelin dhe vlerëson se skuadra mund të marrë rezultat pozitiv pas përgatitjeve të mira.
Kosova do të luajë kundër Izraelit të shtunën, në orën 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për “Dardanët”, objektivi i vetëm është fitorja.
Kamberi, njëri prej tri futbollistëve të rinj të grumbulluar, tregoi për faqen zyrtare të FFK-së se është pritur mirë dhe se atmosfera në ekip është shumë e mirë. Ai tha se shumicën e lojtarëve i njihte, ndërsa të tjerët i kishte ndjekur në televizion.
Ai bëri të ditur se skuadra është përgatitur si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues, dhe beson se do të jetë gati për sfidën e së shtunës.
Sipas Kamberit, ndeshja në shtëpi pritet të jetë ndryshe nga ajo e kaluar. Ai nënvizoi se Izraeli do të japë maksimumin, ndaj Kosova duhet të jetë e përgatitur. Me edhe tri ditë kohë për t’u stërvitur, ai shpreson që skuadra ta mbyllë përballjen me rezultat pozitiv.
Kosovës i duhen të paktën katër pikë në dy ndeshjet e radhës për të siguruar vendin e dytë në grupin B3.
