Kroacia vazhdon të mbajë gjallë shpresat për kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës, pasi mposhti Panamanë me rezultatin 1-0. Golin vendimtar për “Vatreni” e realizoi Ante Budimir në minutën e 54-të.
Para mbylljes së ndeshjeve në grup, kroatët mund ta përfundojnë garën në cilindo prej tre pozicioneve të para. Pamja përfundimtare do të sqarohet nesër pas orës 23:00, kur do të luhen njëkohësisht takimet Kroaci-Gana dhe Angli-Panama.
Sistemi i këtij kompeticioni parashikon që në fazën e 1/16-tës të kalojnë dy përfaqësueset më të mira nga secili prej 12 grupeve, si edhe tetë kombëtaret më të mira që renditen në vendin e tretë.
Këta janë tre skenarët që përcaktojnë fatin e Kroacisë:
Me fitore, kualifikimi është i garantuar: Nëse Kroacia triumfon ndaj Ganës, atëherë siguron vendin e dytë në grup dhe kalimin direkt në fazën eliminatore, pa u varur nga rezultatet e tjera.
Edhe barazimi i mjafton: Në rast se ndeshja mbyllet në barazim, Kroacia do të arrinte kuotën e 4 pikëve dhe do të kishte golaverazh -1. Ky bilanc është matematikisht i mjaftueshëm për ta futur mes tetë ekipeve më të mira të vendit të tretë, sepse do të renditej mbi Paraguain, që ka po 4 pikë, por me diferencë më të dobët golash prej -2. Duhet theksuar se edhe Gana do të siguronte raundin tjetër me një pikë.
Humbja mund ta nxjerrë jashtë, por jo domosdoshmërisht: Teorikisht, Kroacia mund të kualifikohet edhe nëse mposhtet dhe mbetet me 3 pikë, por gjasat në atë rast zvogëlohen ndjeshëm. Suedia, Ekuadori, Bosnja dhe Hercegovina dhe Paraguai kanë tashmë nga 4 pikë secila dhe praktikisht do të renditeshin mbi kroatët. Po ashtu, në rast disfate, edhe Koreja e Jugut do t’i kalonte për shkak të golaverazhit më të mirë.
Në atë skenar, Kroacia do të zbriste në vendin e 6-të në tabelën e skuadrave të renditura në vendin e tretë dhe do të priste që të paktën katër përfaqësuese nga grupet e mbetura të mbyllnin garën pas saj.
Aktualisht, kroatët mbajnë vendin e pestë mes ekipeve të vendit të tretë. Ndonëse pas ndeshjeve të sotme kanë humbur një pozicion, përparësia më e madhe për trajnerin Zlatko Dalic mbetet fakti se gjithçka vazhdon të jetë në dorën e tyre.


