Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur në Dublin për duelin me Irlandën, një përballje që konsiderohet “finale” në garën për pozitën e dytë në renditje.
Ndeshja Irlandë – Kosovë është caktuar të luhet këtë të martë, me fillim në orën 20:45. Një barazim do t’u mjaftonte “Dardanëve” për ta vulosur matematikisht vendin e dytë në grup, pozicion i nevojshëm edhe për t’u përfshirë në vazon e dytë të kualifikueseve për “Euro 2028”.
Në udhëtimin drejt Irlandës, Kosovës i mungojnë Veldin Hoxha, për shkak të kartonit të kuq, dhe Edon Zhegrova, i cili është i lënduar.
Pamjet e mbërritjes së futbollistëve në Dublin janë publikuar nga FFK-ja. Në kryeqytetin irlandez, ekipi do të kryejë nesër stërvitjen e fundit përpara takimit të së martës.
