Kombëtaret

Kombëtarja mes zgjedhjeve të lojtarëve dhe kërkimit të prurjeve të reja (LISTA E PLOTË)

Për shumë futbollistë shqiptarë, veshja e fanellës së Kombëtares është një ëndërr. Dalja në fushë për Shqipërinë sjell edhe përgjegjësinë ndaj miliona shqiptarëve që ndjekin paraqitjen e tyre. Shumë lojtarë e kanë përjetuar këtë ndjenjë, ndërsa të tjerë, pavarësisht lidhjeve me vendin, kanë…

Kombëtarja mes zgjedhjeve të lojtarëve dhe kërkimit të prurjeve të reja (LISTA E PLOTË)

Për shumë futbollistë shqiptarë, veshja e fanellës së Kombëtares është një ëndërr. Dalja në fushë për Shqipërinë sjell edhe përgjegjësinë ndaj miliona shqiptarëve që ndjekin paraqitjen e tyre. Shumë lojtarë e kanë përjetuar këtë ndjenjë, ndërsa të tjerë, pavarësisht lidhjeve me vendin, kanë vendosur të përfaqësojnë shtete të tjera.

Rasti më i fundit është Adri Mehmeti, talenti me origjinë nga Saranda, i cili tashmë është lojtar i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo e fundit bëri publike sot përzgjedhjet e trajnerit Mauricio Pochettino për ndeshjet e ardhshme. Federata shqiptare u përpoq ta bindte Mehmetin të luante për kuqezinjtë, por ai zgjodhi ndryshe.

Mes futbollistëve që kanë marrë një rrugë tjetër, Zvicra ka numrin më të madh, me 7 lojtarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Pajtim Kasami, Ardon Jashari dhe Adrian Bajrami. Disa prej lojtarëve që kanë zgjedhur përfaqësuese të huaja kanë spikatur, ndërsa të tjerë kanë zhgënjyer.

Për Gjermaninë përmenden Shkodran Mustafi, Mërgim Berisha dhe Brajan Gruda. Ky i fundit është rasti më i freskët i një lojtari që ka shprehur dëshirën për të luajtur me “Pancerat” në vend të Shqipërisë. Mustafi u shpall kampion në vitin 2014, ndërkohë që kuqezinjtë kishin tentuar ta afronin para atij Botërori.

Adnan Januzaj nuk e mori në konsideratë Kombëtaren shqiptare dhe zgjodhi Belgjikën, ku më pas mbeti zgjedhje e dytë ose e tretë, jo në rolin që kishte pritur. Greqinë zgjodhën Sotiris Nini dhe Stefanos Kapinos, kushërinj me origjinë nga Himara.

Ndër lojtarët që kanë zgjedhur Shqipërinë janë Stavro Pilo, Sabah Kerjota dhe Samuele Sina. Dy prej tyre kanë debutuar me Kombëtaren, ndërsa Kerjota është ende në pritje të mundësisë për të treguar aftësitë e tij. Të tre i dhanë përparësi Shqipërisë ndaj propozimeve nga shtete të tjera.

Një tjetër emër që po shqyrtohet është portieri i Cagliarit, Elia Caprile. Ai është pajisur me pasaportë shqiptare, megjithëse nuk konsiderohet tipikisht shqiptar. Marrja e shtetësisë lidhet edhe me lidhjen që bashkëshortja e tij ka me Shqipërinë dhe mund ta afrojë me Kombëtaren në vend të Italisë. Megjithatë, mbeten çështje për t’u zgjidhur dhe dokumente për t’u shqyrtuar.

FSHF po përpiqet të bindë edhe Lufti Dervishin, Samuel Krasniqin, Gabriel Kullën, Arman Durmishin dhe Enis Rexhepin që të bëhen pjesë e së ardhmes së Shqipërisë, ndonëse ata kanë edhe oferta nga përfaqësuese të tjera. Amar Gërxhaliu është rasti i fundit që ka zgjedhur Shqipërinë, pasi më parë ka qenë pjesë e Kosovës U-21.