Ibrahimovic i dërgon sinjal Argjentinës: Messi s’mund ta mbajë i vetëm skuadrën

Ibrahimovic i dërgon sinjal Argjentinës: Messi s’mund ta mbajë i vetëm skuadrën

Lajme

Zlatan Ibrahimovic ka përcjellë një mesazh të qartë për përfaqësuesen e Argjentinës, duke theksuar se Lionel Messi nuk mund të vazhdojë të mbajë i vetëm peshën e ekipit, edhe pse në Kupën e Botës ka dhuruar paraqitje mbinjerëzore.

Në ndeshjen dramatike që Argjentina e fitoi 3-2 ndaj Egjiptit, ylli i Inter Miamit ishte në nivelin e tij më të lartë. Megjithatë, sipas Ibrahimovicit, pjesa tjetër e skuadrës duhet të japë më tepër për t’ia bërë më të lehtë barrën kapitenit.

Messi tregoi sërish pse vlerësohet si më i miri i të gjitha kohërave, duke udhëhequr Argjentinën drejt një përmbysjeje të jashtëzakonshme ndaj Egjiptit në fazën e 1/8 së finales të Botërorit.

Kur argjentinasit po humbnin 2-0 në Atlanta, ishte Messi ai që vuri në lëvizje rikthimin me asistin për golin e Cristian Romero. Më pas, ai realizoi vetë golin e barazimit, ndërsa më vonë kontribuoi edhe në aksionin që i hapi rrugën golit të fitores nga Enzo Fernandez në kohën shtesë.

Kjo paraqitje mahniti edhe Ibrahimovicin, i cili edhe një herë vuri në pah mentalitetin e jashtëzakonshëm të ish-shokut të tij te Barcelona.

Në një prononcim për Fox Sports, suedezi u shpreh se te Messi u vu re një transformim i madh pikërisht në çastin kur Argjentina po rrezikonte eliminimin.

“Mund ta shihni se diçka ndryshoi. Ai ndezi një tjetër marsh (pas rezultatit 2-0). U shndërrua në një bishë dhe askush nuk mund ta ndalte”.

“Mund ta shihni sa shumë do të thotë kjo për të. Mund të ketë fituar gjithçka, sa herë që ka fituar Topin e Artë, por ai ende kërkon më shumë”.

Pavarësisht atmosferës festive pas vërshëllimës së fundit, kur një Messi i emocionuar u përqafua nga bashkëlojtarët, Ibrahimovic nuk i kurseu vërejtjet për pjesën tjetër të skuadrës argjentinase.

“Për të qenë pak kritik, bashkëlojtarët e tij duhet të ngrihen më shumë dhe ta ndihmojnë. Ai është në një nivel tjetër”.

“Nëse Messi vazhdon kështu deri në fund, askush nuk do të befasohet. Por ai ka nevojë për ndihmë”, përfundoi suedezi.//

Promo