Rinovimi i marrëveshjes së Jamal Musialas me Bayern Munichun përfshin një garanci të pazakontë financiare për futbollistin gjerman. Nëse një dëmtim e mban për një kohë të gjatë larg fushës, klubi bavarez mund të përballet me një faturë prej miliona eurosh.
Gazeta gjermane Sport Bild raporton se kontrata e 23-vjeçarit parashikon vazhdimin e pagesës së plotë për gjashtë muaj në rast të një lëndimi afatgjatë.
Ky kusht u sigurua nga Musiala në shkurt të vitit 2025, kur ai dhe drejtuesit bavarezë arritën marrëveshjen për rinovimin. Kontrata e mëparshme përfundonte më 30 qershor 2026, ndërsa me firmosjen e re bashkëpunimi u zgjat deri në vitin 2030.
Marrëveshja i solli përfaqësuesit gjerman edhe një shtesë të ndjeshme në pagë. Sipas Sport Bild, të ardhurat e tij arrijnë në 25 milionë euro për sezon. Në renditjen e lojtarëve më të paguar të Bayernit, ai qëndron vetëm pas Harry Kane, për të cilin raportohet një pagë vjetore prej 29 milionë eurosh.
Detyrimi i zakonshëm për Bayern Munichun, ashtu si për punëdhënësit e tjerë në Gjermani, është që paga e punonjësit të mbulohet e plotë gjatë gjashtë javëve të para të sëmundjes ose të paaftësisë për punë. Duke nisur nga java e shtatë, pagesën e merr përsipër sigurimi shëndetësor shtetëror, deri në kufirin prej 5.812,50 euro bruto në muaj.
Garancia e përfshirë në kontratën e Musialas merr peshë të veçantë për shkak të dëmtimeve dhe shqetësimeve fizike që e kanë shoqëruar së fundmi.
Gjatë Kupës së Botës për Klube, në verën e vitit 2025, futbollisti theu fibulën në një përplasje me Gianluigi Donnarumma, ish-portierin e Paris Saint-Germainit. Ky dëmtim e la jashtë fushave për më shumë se gjashtë muaj.
Edhe pasi u rikthye në lojë, 23-vjeçari vazhdoi të kishte shqetësime të ndryshme fizike. Këtë sezon, ai ka humbur disa takime si pasojë e një dëmtimi muskulor dhe e pasojave të episodeve të shkurtra të humbjes së përkohshme të vetëdijes, të cilat lidhen me një çrregullim neurologjik.
