FIFA hedh poshtë kërkesën e Belgjikës, Balogun në dispozicion për përballjen me SHBA-të

FIFA hedh poshtë kërkesën e Belgjikës, Balogun në dispozicion për përballjen me SHBA-të

Lajme

Folarin Balogun do të jetë i gatshëm për ndeshjen e Kupës së Botës ndaj Belgjikës, pasi FIFA ka refuzuar ankesën e Federatës Belge të Futbollit (RBFA) mbi të drejtën e tij për të luajtur.

Sulmuesi i SHBA-ve kishte marrë një pezullim prej një ndeshjeje pas përjashtimit në takimin kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, por zhvillimet e fundit nga organi disiplinor i FIFA-s kanë ndryshuar këtë vendim, duke e rikthyer në dispozicion të Shteteve të Bashkuara për sfidën e rëndësishme në Seattle.

Komiteti i Apelit i FIFA-s e ka cilësuar kërkesën e paraqitur nga Belgjika si “të papranueshme”, me arsyetimin se federata belge nuk ishte palë e drejtpërdrejtë në këtë procedurë dhe, për pasojë, nuk gëzonte të drejtën e ankesës në këtë fazë.

Ky zhvillim solli reagim të menjëhershëm nga pala belge, e cila depozitoi zyrtarisht ankesë me pretendimin se ka munguar transparenca e nevojshme për procesin dhe dokumentacionin disiplinor. RBFA bëri të ditur se ende nuk ka marrë arsyetimin e plotë të vendimit, as raportin e gjyqtarit.

Në qëndrimin e saj, Federata Belge njoftoi se po analizon mundësi të tjera ligjore dhe theksoi se mbetet e pakënaqur me mënyrën se si është administruar çështja, duke mos përjashtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), nëse përmbushen kushtet procedurale.

Ndërkohë, FIFA ka theksuar se vendimet disiplinore merren nga organe të pavarura dhe se i gjithë procesi zhvillohet në përputhje me rregullat e brendshme të federatës botërore.

Balogun pritet të jetë mes emrave më të rëndësishëm në ndeshjen e madhe mes SHBA-ve dhe Belgjikës, një përballje që përcakton një vend në çerekfinale të Botërorit.

Promo