Fabio Capello e krahasoi talentin e Juventusit, Kenan Yildiz, me Lamine Yamal të Barcelonës, duke shprehur vlerësimin e tij për potencialin e futbollistit të ri bardhezi.
Trajneri italian e bëri këtë vlerësim në ceremoninë e çmimeve “Bulgarelli Number 8”, të zhvilluar në Palazzo d’Accursio, ku ndodhet administrata e qytetit të Bolonjës.
Si kryetar i jurisë, Capello i dorëzoi trofeun futbollistit turk. Ai vlerësoi krijimtarinë e Yildiz, duke thënë se sulmuesi bën gjëra që të tjerët as nuk do t’i imagjinonin dhe se Juventusi, futbolli e tifozët kanë shumë nevojë për të.
Sipas Capellos, Yildiz ka imagjinatë dhe arrin t’ua përcjellë atë edhe të tjerëve. Për këtë arsye, ai e quajti “Lamine Yamal i Italisë”.
Yildiz po rikuperohet nga një dëmtim në kockën e këmbës, i cili e ka mbajtur larg fushës. Gjatë ceremonisë, ai foli për gjendjen fizike dhe dha një përditësim mbi kohën kur pret të rikthehet në lojë.
Çmimi organizohet nga Shoqata Italiane e Futbollistëve për të nderuar figurat që janë dalluar gjatë sezonit të fundit futbollistik.
Ai mban emrin e Giacomo Bulgarellit (1940-2009), legjendë e Bolognës dhe Italisë, i vlerësuar si një nga mesfushorët më të mirë në historinë e klubit. Bulgarelli luajti me fanellën me numrin 8 pothuajse gjatë gjithë karrierës dhe ishte ndër themeluesit e Shoqatës Italiane të Futbollistëve.
