Ish-sulmuesi i Milanit, Antonio Cassano, ka shprehur kritika të forta për aktivizimin e Ronaldinhos në një takim zyrtar, 11 vjet pasi braziliani i dha fund karrierës si futbollist profesionist.
Të dielën, Ronaldinho, 46 vjeç, e nisi si titullar sfidën e Serie C mes Ravennës dhe Forlit, të fituar 2-0 nga vendasit. Ai qëndroi në fushë vetëm gjatë pjesës së parë dhe u zëvendësua në pushim, ndërsa pati rol në aksionin sulmues që parapriu golin e parë të Ravennës.
Braziliani kishte blerë më herët një pjesë të aksioneve të klubit, por rikthimi i tij në fushë ka ngjallur reagime të shumta, veçanërisht nga ish-futbollisti italian.
Cassano theksoi se admirimi i tij për Ronaldinhon, si person dhe si lojtar, mbetet i madh. Ai e renditi brazilianin mes pesë futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, së bashku me Messin, Maradonën, Ronaldon Fenomenin dhe, ndoshta, Pelen. Sipas tij, Ronaldinho pati një karrierë të jashtëzakonshme, fitoi gjithçka që mund të fitonte dhe zotëronte një cilësi unike, të paarritshme për të tjerët.
Megjithatë, italiani bëri dallim mes vlerësimit për karrierën e Ronaldinhos dhe paraqitjes së tij të fundit. Ai tha se, pavarësisht respektit të madh që ka për brazilianin, aktivizimi në atë ndeshje ishte diçka e shëmtuar për t’u parë.
Cassano ngriti pikëpyetje edhe për arsyen e këtij rikthimi. Ai pyeti nëse Ronaldinho e kishte bërë për shkak të lidhjes me mikun e tij Ciprianin, për një shumë të madhe parash apo për ndonjë motiv tjetër. Në fund, e përshkroi paraqitjen si “një farsë”.
