Botërori 2026 kap shifrën e 100 golave me ritëm historik pas 68 vitesh – a kanë ndikim topi dhe ndërprerjet?

Lajme

Botërori 2026 po vazhdon të dhurojë spektakël, pasi ka mbërritur në kuotën e 100 golave më shpejt se çdo edicion tjetër i Kupës së Botës në 68 vitet e fundit.

Goli i 100-të i turneut u realizua nga sulmuesi i Holandës, Cody Gakpo, në fitoren e thellë 5-1 ndaj Suedisë, duke e çuar totalin në tre shifra pas vetëm 33 ndeshjeve të luajtura.


I vetmi Botëror me ritëm më të lartë mbetet ai i vitit 1954 në Zvicër, kur 100 golat u arritën pas vetëm 20 ndeshjesh. Për krahasim, në Botërorin e Brazilit 2014 dhe në atë të Spanjës 1982 u deshën 36 ndeshje për të prekur këtë shifër.

Aktualisht, Botërori që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada ka një mesatare prej 3.09 golash për ndeshje dhe po ecën drejt tejkalimit të pragut të 300 golave.

A po ua vështirëson punën portierëve topi i ri?

Një nga shkaqet që po përmendet gjithnjë e më shpesh është topi zyrtar i Adidasit, “Trionda”.

Disa portierë janë shfaqur të pavendosur përballë trajektores së tij, ndërsa disa gola të bukur nga larg kanë ngritur dyshime se topi po sillet ndryshe nga sa pritej.

Një nga rastet më të përfolura ishte goli i Kylian Mbappes nga afro 30 metra ndaj Senegalit. Deri tani janë shënuar më shumë se dhjetë gola nga jashtë zone, ndërsa disa portierë kanë gabuar pas goditjeve me devijime të papritura.

Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, u shpreh se topi duket se po ua bën më të vështirë punën gardianëve, ndërsa Paul Robinson tha se në disa raste ai nuk është sjellë sipas pritshmërive.

Një situatë e ngjashme ishte vërejtur edhe në Botërorin 2010 me topin famëkeq “Jabulani”, i cili u kritikua për lëvizjet e tij të paparashikueshme.

A po sjell më shumë gola formati me 48 skuadra?

Zgjerimi i Kupës së Botës nga 32 në 48 skuadra ishte shoqëruar me shqetësimin se do të prodhonte shumë ndeshje të pabarabarta.

A po ndikojnë nxehtësia dhe pushimet për hidratim?

Temperaturat e larta në Amerikën e Veriut mund të jenë një tjetër faktor me peshë.

Nga 105 golat e parë të turneut, 30 janë shënuar pas minutës së 76-të, çka përbën gati 29 për qind të totalit.

Lodhja fizike ka sjellë gjithashtu një numër të madh gabimesh individuale, të cilat janë shfrytëzuar nga kundërshtarët.

Ndërkohë, pushimet e detyrueshme treminutëshe për hidratim po përdoren nga trajnerët jo vetëm për të freskuar lojtarët, por edhe për të dhënë udhëzime taktike dhe për të bërë ndryshime strategjike gjatë ndeshjeve.

Yjet po shkëlqejnë që në fillim

Një tjetër arsye për shpërthimin e golave është forma e jashtëzakonshme e futbollistëve më të mëdhenj.

Lionel Messi ka realizuar het-trik, Kylian Mbappe ka shënuar dy gola kundër Senegalit, Vinicius Junior ka tundur rrjetën në të dy ndeshjet e Brazilit, ndërsa Erling Haaland dhe Harry Kane e kanë nisur gjithashtu turneun me dopieta.

Sipas analistëve, ndryshe nga turnetë e kaluara kur shumë lojtarë mbërrinin të lodhur pas sezonit të gjatë me klubet, këtë herë yjet kryesore po duken në formë optimale.

Rezultati është një Botëror spektakolar, me shumë gola, ritëm të lartë dhe një rekord që nuk ishte parë prej afro shtatë dekadash.

Promo