Botërori 2026 me 48 kombëtare, deri në këtë pikë, nuk ka prodhuar numrin e madh të ndeshjeve të pabarabarta që shumë vetë kishin parashikuar pas zgjerimit të turneut, sipas statistikave pas 24 takimeve të para të kompeticionit.
Kur FIFA mori vendimin për ta zgjeruar Kupën e Botës nga 32 në 48 përfaqësuese, nuk munguan paralajmërimet se përfshirja e më shumë skuadrave me renditje më të ulët do ta dobësonte cilësinë e garës dhe do të sillte më shumë disfata të thella.
Megjithatë, ajo që është parë deri tani në turne nuk i konfirmon plotësisht këto pretendime.
Pas 24 ndeshjeve të para, diferenca e përgjithshme e golave është 35, pikërisht e njëjta si në të njëjtën fazë të Botërorit “Katar 2022”. Në të njëjtën kohë, numri i golave të shënuar është rritur nga 57 në 75.
Natyrisht, nuk kanë munguar fitoret e thella. Gjermania e mundi debutuesin Curaçao me rezultatin 7-1, ndërsa Kanadaja fitoi 6-0 përballë Katarit. Nga ana tjetër, Haiti u bë një nga skuadrat e para që u eliminua pas vetëm dy ndeshjeve.
Megjithatë, disa nga përfaqësueset më pak tradicionale kanë dhënë paraqitje shumë mbresëlënëse. Kepi i Gjelbër, kombëtarja e pestë me renditjen më të ulët në nisje të turneut dhe një nga shtetet më të vogla që ka siguruar ndonjëherë pjesëmarrjen në Kupën e Botës, arriti të marrë një barazim 0-0 ndaj kampiones së Evropës, Spanjës.
Po ashtu, Republika Demokratike e Kongos, që po luan vetëm për herë të dytë në një Botëror pas pjesëmarrjes së vitit 1974 si Zaire, barazoi 1:1 me Portugalinë e Cristiano Ronaldos.
Ndërkohë, Zelanda e Re, kombëtarja me renditjen më të ulët mes të gjitha pjesëmarrëseve, siguroi një pikë të rëndësishme pas barazimit 2-2 kundër Iranit.
Trajnerë, futbollistë dhe analistë e konsiderojnë këtë rritje të konkurrencës si pasojë të zhvillimit global të futbollit, pranisë gjithnjë e më të madhe të lojtarëve nga vende më të vogla në ligat elitare, angazhimit të trajnerëve më cilësorë dhe qasjes më të lehtë në metodat moderne të përgatitjes taktike dhe fizike.
Përzgjedhësi i Meksikës, Javier Aguirre, e vlerësoi nivelin e lartë të konkurrencës në këtë Botëror.
“Është shumë e vështirë të fitosh. Më ka habitur sa të ekuilibruara janë ndeshjet. Është folur shumë për formatin me 48 ekipe, por përveç Gjermanisë, që krijoi një diferencë të madhe me shumë gola, pothuajse çdo ndeshje tjetër ka qenë jashtëzakonisht e vështirë”, deklaroi ai.
Një mendim të ngjashëm shprehu edhe trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, pas barazimit me Kepin e Gjelbër.
“Kjo ndeshje na tregoi se Kupa e Botës është një turne shumë i balancuar. Është jashtëzakonisht e ndërlikuar”, tha De la Fuente.
Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, është përballur me kritika nga federata të ndryshme të Azisë, Afrikës dhe Karaibeve pas raportimeve se kishte sugjeruar se zgjerimi i Botërorit kishte sjellë ndeshje më pak tërheqëse.
Federatat përkatëse reaguan duke theksuar se futbolli nuk i përket një grupi të kufizuar kombesh, por e merr forcën pikërisht nga karakteri i tij universal dhe përfshirja globale.


