Kupa e Botës 1986 në Meksikë kujtohet për shumë elemente: maskotën e njohur Pique, atmosferën e veçantë në stadiumet meksikane dhe, mbi të gjitha, “Dorën e Zotit” të Diego Maradonës. Por mes gjithë këtyre kujtimeve, një skuadër shpesh mbetet në plan të dytë – Iraku, që atë vit regjistroi paraqitjen e parë dhe të vetme në një Botëror deri në atë moment.
Nga pikëpamja sportive, rrugëtimi i Irakut nuk duket i jashtëzakonshëm. Përfaqësuesja humbi të tre ndeshjet, realizoi vetëm një gol dhe e mbylli grupin në vendin e fundit. Megjithatë, një vlerësim më i afërt tregon se ekipi nuk ishte aspak më i dobët se kundërshtarët e tij.
Në ndeshjen kundër Paraguait, irakianët pësuan pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar shpejt. Ata madje e dërguan topin në rrjetë për barazim, por arbitri Edwin Picon-Ackong nga Mauritiusi kishte sinjalizuar fundin e pjesës së parë pikërisht në çastin kur po goditej këndi nga i cili erdhi goli. Një vendim që sot do të hapte debat të madh.
Përballë Belgjikës, Iraku u shfaq me një lojë më sulmuese dhe më të rrezikshme, madje edhe pasi mbeti me dhjetë futbollistë. Belgët triumfuan falë një penalltie që, në kohën e VAR-it, mund të ishte rrëzuar.
Në përballjen e fundit, kundër vendësve të Meksikës në stadiumin legjendar Azteca para më shumë se 100 mijë tifozëve, irakianët qëndruan me dinjitet dhe u mposhtën vetëm 1-0.
Edhe pse e mbyllën turneun pa asnjë pikë, paraqitja e tyre vazhdon të konsiderohet si një debutim dinjitoz.
Periudha më e ndritur e futbollit irakian
Vitet 1980 përbëjnë fazën më të suksesshme në historinë e futbollit të Irakut. Kombëtarja fitoi Kupën e Gjirit, Kupën Arabe dhe Lojërat Aziatike, ndërsa u kualifikua tri herë edhe në Lojërat Olimpike.
Arritja më e madhe mbetet, pa dyshim, kualifikimi për Kupën e Botës 1986, në një epokë kur vetëm dy përfaqësuese aziatike arrinin të siguronin pjesëmarrjen në turneun më të rëndësishëm të futbollit.
Dhe kjo ndodhi në një periudhë kur Iraku ishte i përfshirë në luftën shkatërrimtare me Iranin dhe nuk kishte mundësi të luante ndeshje zyrtare në territorin e vet.
Por sukseset sportive nuk ishin të ndara nga politika. Presidenti Saddam Hussein e konsideronte sportin si mjet propagande dhe bashkimi kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, drejtimin e sportit ia besoi djalit të tij të madh, Uday Hussein. Për sportistët irakianë, ky vendim do të kthehej në një makth.
Uday Hussein, princi që qeveriste me terror
Uday Hussein lindi në vitin 1964 dhe u rrit si trashëgimtar i pushtetit të familjes Hussein.
Që herët ai u bë i njohur për sjellje të dhunshme, arrogancë dhe bindjen se qëndronte mbi ligjin. Ish-pjesëtarë të regjimit kanë pretenduar se Uday kishte parë ekzekutime që në fëmijëri dhe se më vonë kishte marrë pjesë vetë në torturimin e të burgosurve.
Ai krijoi reputacionin e një njeriu impulsiv dhe brutal, i përfshirë në dhunë, rrëmbime dhe krime që shpesh mbeteshin pa pasoja për shkak të pozitës së tij.
Në vitin 1988, gjatë një ceremonie zyrtare ku ishte e pranishme edhe bashkëshortja e presidentit egjiptian Hosni Mubarak, Uday rrahu për vdekje një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Saddam Husseinit.
Edhe pse u ndëshkua vetëm simbolikisht me një periudhë mërgimi në Zvicër, ai vazhdoi të mbetej një nga figurat më të fuqishme në vend.
Kur futbolli drejtohej nga frika
Në moshën vetëm 20-vjeçare, Uday u vendos në krye të Komitetit Olimpik të Irakut. Një vit më pas mori edhe drejtimin e Federatës së Futbollit.
Për të, çdo humbje e një sportisti irakian ishte një fyerje personale.
Lojtarët dhe trajnerët jetonin nën trysni të vazhdueshme. Sipas shumë dëshmive, Uday u thoshte sportistëve se do t’ua priste këmbët ose do t’i dërgonte në vijën e frontit në luftën kundër Iranit nëse dështonin.
Edhe pse nuk ka prova se ndonjë futbollist u dërgua realisht në luftë si ndëshkim, ekzistojnë qindra dëshmi për tortura, rrahje dhe poshtërime.
Një nga format më të zakonshme të dënimit ishte rruajtja e kokës. Në kulturën islame, kjo shihej si një poshtërim i madh, pasi koka e rruar lidhej me nënshtrim dhe humbje dinjiteti.
Burgu i sportistëve
Shumë ish-futbollistë i treguan historitë e tyre pas rënies së regjimit.
Abbas Talayw, ish-kapiten i Al-Jaish, rrëfeu se pas një incidenti me arbitrin u dërgua për 33 ditë në burgun privat të Udayt në Al-Radwaniyah. Sipas tij, aty rrihej çdo mëngjes me kabllo elektrike.
Ish-reprezentuesi Waleed Jumaa e përshkroi të njëjtin vend si “portat e ferrit” për çdo sportist irakian.
“Çdo lojtar i kombëtares e dinte se mund të përfundonte atje”, kujtonte ai.
Dënime të veçanta u rezervoheshin atyre që guxonin të lëndonin futbollistët e Al-Rasheed, klubit personal të Udayt.
Mbrojtësi Abeer Jamal u arrestua dhe u fshikullua publikisht pasi kishte dëmtuar një lojtar të Al-Rasheed gjatë një ndeshjeje.
Klubi i privilegjuar i regjimit
Nën drejtimin e Udayt, Al-Rasheed u kthye në klubin më të favorizuar në Irak.
Gazetarët sportivë të asaj kohe kanë pohuar se kartonët e kuq ndaj lojtarëve të Al-Rasheed ishin pothuajse të papranueshëm, golat nga pozicione jashtë loje shpesh njiheshin dhe rivalët kryesorë ndëshkoheshin para ndeshjeve ndaj këtij ekipi.
Klubi kishte mundësinë të merrte pothuajse çdo futbollist që dëshironte. Në anën tjetër, fitoret shpërbleheshin me makina luksoze, ora të shtrenjta dhe privilegje të shumta. Por edhe lojtarët e Al-Rasheed jetonin nën frikë të vazhdueshme.
As yjet nuk ishin të paprekshëm
As Ahmed Radhi, figura më e madhe e futbollit irakian dhe autori i golit të vetëm të Irakut në Botërorin 1986, nuk ishte i mbrojtur.
Ai ka treguar se ishte rrahur disa herë, i ishte rruar koka në mënyrë poshtëruese dhe ishte mbajtur në paraburgim vetëm sepse kishte munguar në një takim me Udayn.
Një tjetër ikonë e futbollit irakian, Habib Jafar, kujtonte me tmerr të ashtuquajturën “dhoma e kuqe” në selinë e Komitetit Olimpik.
“Rojet vizatuan një biçikletë në mur dhe më urdhëruan ta ngisja. Kur nuk munda, më rrahën derisa humba ndjenjat”, deklaronte ai.
Trajneri që guxoi ta sfidonte
Një nga të paktët njerëz që guxoi t’i dilte hapur kundër Uday Husseinit ishte trajneri legjendar Ammo Baba.
Ai e shihte djalin e diktatorit si një figurë pa asnjë grimë mëshire.
“Na rrihte me kabllo. I detyronte futbollistët të luanin me top prej betoni dhe qeshte ndërsa i shikonte. I telefononte lojtarët para ndeshjeve për t’i kërcënuar”, kujtonte Baba.
Sipas tij, Uday ndërhynte vazhdimisht në punët e skuadrave dhe nuk kishte asnjë njohuri të vërtetë për futbollin.
Fundit i një epoke terrori
Gjithçka përfundoi në vitin 2003, kur regjimi i Saddam Husseinit u rrëzua nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Uday dhe vëllai i tij Qusay u larguan drejt Mosulit.
Për kapjen e tyre u vendos një shpërblim prej 30 milionë dollarësh.
Pas një informacioni që morën autoritetet amerikane, vendstrehimi i tyre u zbulua. Operacioni për arrestimin e tyre përfshiu qindra ushtarë dhe helikopterë luftarakë.
Pas katër orësh përleshje, ndërtesa ku fshiheshin u godit me raketa dhe të dy vëllezërit mbetën të vrarë. Uday Hussein ishte 39 vjeç.
Një trashëgimi që ende përçan opinionin
Edhe sot, më shumë se dy dekada pas vdekjes së tij, figura e Uday Husseinit vazhdon të ndajë opinionin në Irak.
Shumica e sportistëve që e përjetuan regjimin e tij e kujtojnë atë si një periudhë terrori, torturash dhe frike.
Megjithatë, ka edhe ish-futbollistë që argumentojnë se metodat e tij, sado brutale, prodhuan rezultate sportive.
Ata kujtojnë se pikërisht në vitet kur Uday kontrollonte sportin irakian, kombëtarja arriti kulmin e saj historik dhe siguroi pjesëmarrjen e vetme në Kupën e Botës.
Por për shumë të tjerë, suksesi sportiv nuk mund të justifikojë kurrë dhunën, torturat dhe frikën që shoqëruan atë periudhë të errët të futbollit irakian.


